Një fushatë ndërgjegjësuese ka nisur në kryeqytet për përdorimin e transportit publik, që ka për qëllim të edukojë brezin e ardhshëm se si duhet të përdoret transporti urban.

Fushata që do të zgjasë deri më 17 qershor përfshin një autobus të improvizuar ku çdo ditë fëmijë të klasave fillore nga mosha 7-10 vjeç, përmes lojës në grup do të informohen për rregullat e transportit publik.

“Sot niset fushata ndërgjegjësuese për një pasagjer të përgjegjshëm. Fëmijët përmes lojërave në grup do të improvizojnë duke luajtur rolin e pasagjerit, rolin e faturinos, rolin e shoferit e kështu me rradhë”, tha Drejtoresha e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Laura Deliu.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit që është përgjegjëse për kontrollin e shërbimit të transportit publik, përmes kësaj fushate kërkon që të kthejë fokusin edhe tek informimi për të arritur kushtet sa më të mira për shërbimin e qytetarëve.

“Sot me thënë të drejtën i jepet me shumë fokus kontrollit, por ne kemi kaluar në anën tjetër që është ndërgjegjësimi, si duhet të jemi të ndërgjegjshëm, si duhet që një pasagjer të respektojë rregullat dhe duke respektuar rregullat dhe duke ditur të drejtat e tyre i jepet mundësia që t’i kërkojnë më mirë të drejtat e tyre”, tha Deliu.

Transporti publik është një mjet mjaft i përdorur nga qytetarët për të lëvizur gjatë ditës në kryeqytet, por gjatë viteve të fundit nuk kanë munguar ankesat ndaj këtij shërbimi në lidhje me kushtet që ofrojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA