Edhe Tirana është bërë pjesë e festimeve në nder të Jubileut të Platintë të Mbretëreshës Elizabeta II. Përmes një ceremonie të veçantë, u ndez dje në mbrëmje “Feneri Jubilar” në Varrezat e Dëshmorëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi raportin e veçantë që ekziston mes Tiranës dhe Londrës.
“Një numër i madh shqiptarësh që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, e kanë krijuar aty historinë e tyre të suksesit. Një pjesë e madhe e vëllezërve e motrave tona nga Kosova gjetën një strehë aty. Edhe unë vetë kam qenë përfitues i bursës Chevening dhe kur mendoj se çdo vit, dhjetëra të rinj kanë shansin jo vetëm të marrin një diplomë në Mbretërinë e Bashkuar, por të bëhen pjesë e një eksperience, e një bote të hapur dhe të lirë, kur mendoj se sa prej nesh janë sot drejtues në institucione dhe eksperiencën britanike e injektojnë në Shqipëri, është një kënaqësi shumë e madhe. Raportet mes shteteve, patjetër mund të maten me shkëmbime tregtare, me shkëmbime të mallrave dhe të ekonomisë, por besoj se ka edhe një raport tjetër, që është shkëmbimi shpirtëror që kanë njerëzit dhe popujt”, tha Veliaj.
I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, u shpreh se ndezja e këtij feneri është mënyra e duhur për të shënjuar 100 vite miqësi mes dy vendeve ndërsa Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith shprehu mirënjohjen për popullin shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme dhe marrëdhëniet shumë të mira shqiptaro-britanike.
Këtë vit, Mbretëresha Elizabeta II u bë Monarkja e parë britanike që feston një Jubile të Platintë, duke shënuar 70 vjet në shërbim të popullit të Mbretërisë së Bashkuar.
Top Channel