Me një pistolete “Glock” u qëllua 17 herë në drejtim të një makinë në hyrje të Niklës në të cilën në vendin e pasagjerit ishte ulur Marklen Haka, një emër i njohur për drejtësinë dhe i cilësuar si ndër më të rrezikshmit në zonë.
Persona të pa identifikuar dyshohet se i kishin bërë pritë duke u fshehur pas disa pemëve dekorative.
Rreth orës 14.30 të kësaj të mërkure Marklen Haka u paraqit në spitalin e traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Bluzat e bardha konstatuan se ai është plagosur në pjesën e nofullës por ka parametra stabël për jetën. Kjo është hera e dytë që Marklen Haka i shpëton një atentati.
Edhe mbrëmjen e 21 shtatorit të vitit 2019 ai I shpëtoi një atentati nga persona qe ende nuk janë identifikuar nga policia.
Autorët qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të shtëpisë së Marklen Hakës në fashtin Zezë të Niklës. Si pasojë e të shtënave ai u plagos në krah ndërsa halla e tij Shpresa Basha nuk mundi dot të mbijetojë.
Në janar të këtij viti Marklen Haka u arrestua nga forcat RENEA gjatë një operacioni te shtrirë në disa qytete të vendit. Ai ra në pranga si i dyshuar për 3 vepra penale, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”, por liria e tij do të kufizohej vetëm pak ditë. Prokuroria nuk mundi ti faktonte këto akuza dhe ai u la I lirë nga gjykata.
Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash. Ai rezulton i dyshuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale por nuk është përballur me drejtësinë .
Top Channel