Në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mbahet takimi i radhës i nismës Ballkani i Hapur. Takimit të udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do t’u bashkohen në cilësinë e vëzhguesve, kryeministri i Malit të Zi dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.

Në konferencë pritet të marrë pjesë edhe Komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ndërsa i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do t’i drejtohet asaj përmes një video-mesazhi.

Gjatë së mërkurës pritet nënshkrimi i katër marrëveshjeve të bashkëpunimit për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Nisma, sipas organizatorëve të saj, synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon.

Por, Kosova refuzon t’i bashkohet nismës në radhë të parë për shkak të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e refuzoi ftesën e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në takim. Ai shkroi në një letër se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, që u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri Kurti theksonte më tej se “Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon, dhe që mohon vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.

Serbia, që paraqet vendin dhe tregun më të madh në këtë nismë, ruan lidhje të fuqishme me Rusinë dhe Kinën. Ajo është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës për shkak te agresionit të saj në Ukrainë. Një ditë më parë, tre vendet fqinje të Serbisë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, detyruan anulimin e një vizite të ministrit të Jashtëm rus në Beograd, duke mos lejuar kalimin e avionit të tij nëpër hapësirën e tyre ajrore.

Shefi i diplomacisë ruse fajësoi perëndimin për anulimin e vizitës ndërsa theksoi e askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë.

“Ata mbase nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për nismën e Beogradit për të realizuar projektin e Ballkanit të Hapur në interes të marrëdhënieve më të shëndetshme dhe më të forta midis të gjitha vendeve të rajonit”, tha të hënën ministri rus.

Analisti amerikan, Janusz Bugajski, tha se Kremlini e sheh “Ballkanin e Hapur” si një mjet të dobishëm për përmbysjen dhe ndarjen e Evropës. “Qeveritë properëndimore duhet të braktisin skemën dhe të mos ndjekin agjendën Moskë-Beograd”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërsa analisti Edward Jospeh, shkroi se ashtu siç duhet falënderuar (Vladimir) Putinin për ringjalljen e NATO-s, duhet lavdëruar Sergey Lavrovin “që i dha puthjen e vdekjes sot Ballkanit të Hapur”. Kjo ide e administratës Trump çon përpara agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën Aleksandar Vuçiçin”.

Nisma, e cila fillimisht u njoh si “Mini-Shengeni Ballkanik”, ndryshoi emrin në “Ballkani i Hapur” në korrik të vitit të kaluar. Një pjesë e analistëve vlerësojnë se Serbia do të përfitojë më së shumti nga kjo nismë, “sepse do të ketë dalje në det” (nëpërmjet porteve shqiptare) dhe duke qenë për disa herë më e fuqishme ekonomikisht do të shtrijë prodhimet e veta në tregjet e vendeve fqinje, ndërsa prodhuesit vendorë dhe tregtarët nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, do të përballen me konkurrencë çmimesh dhe rrjedhimisht me sfida shtesë në punën e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA