Nacionalistët serbë të Bosnjës i kanë shtyrë planet për tërheqjen e rajonit të tyre nga institucionet kombëtare të Bosnje e Hercegovinës, e pohuar kjo nga vetë lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik.
Duke folur gjatë një seancë parlamentare të Republikës Sërpska, Dodik pohoi se shkak për shtyrje është bërë konflikti në Ukrainë, ndërsa apeloi të sigurohet mbështetje kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e vendit fqinj.
Parlamenti rajonal votoi në muajin dhjetor për të filluar punën për një mocion jodetyrues që synon të hapë rrugën për shkëputje nga institucionet kombëtare boshnjake.
Por kushtet e “ndryshuara politike” të shkaktuara nga lufta në Ukrainë kishin shkaktuar një vonesë, tha Dodik, plani i të cilit mbështetet nga Moska.
Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka bërë vazhdimisht thirrje për shkëputjen e entitetit serb nga pjesa tjetër e Bosnjës, të cilën ai e quajti një “eksperiment nga komuniteti ndërkombëtar” dhe një “shtet i pamundur dhe i imponuar”.
Ai u kthye në shkaktarin e krizës më të keqe politike të Bosnje e Hercegovinës që nga fundi i luftës të viteve 1990, pasi deklaroi në fund të vitit të kaluar se Republika Sërpska apo entiteti etnik-serb, do të tërhiqej nga ushtria e përbashkët e vendit të Ballkanit Perëndimor, nga organi më i lartë gjyqësor dhe nga administrata tatimore, e kjo në kohë kur shkëputja nga qeveria qendrore e Bosnjës do të binte ndesh me marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995 që i dhanë fund luftërave në vend.
Top Channel