Ditë më parë Zyra Kombëtare e Auditimit publikoi raportin e auditimit të pasqyrave financiare dhe atë të performancës për Radio Televizionin e Kosovës, ku ishin evidentuar parregullsitë ndër vite në këtë institucion.
Bordi i RTK-së thotë se kanë analizuar në detaje raportet me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilat do të adresohen.
Shumë nga gjetjet e publikuara në raportet e ZKA-së sipas bordit, janë evidentuar në muajt paraprak nga ana e tyre dhe menaxhmentit aktual, dhe disa prej tyre tashmë janë adresuar.
“Sikurse edhe në fazën e pranimit të raportit, Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së janë pajtuar me të gjitha gjetjet e ZKA-së dhe zotohen se në afatin sa më të arsyeshëm kohor do t’i adresojnë rekomandimet e paraqitura një nga një.
Shumë nga gjetjet e publikuara në raportet e ZKA-së janë evidentuar në muajt paraprak nga ana e Bordit dhe Menaxhmentit aktual, dhe disa prej tyre tashmë janë adresuar. P.sh gjetja për kontratat për shërbime tashmë është çështje e zgjidhur, pasi që kontratat e tilla për vende pune të rregullta nuk janë vazhduar në RTK. Bashkëpunëtorët e jashtëm, përveç se në kundërshtim me nevojat programore, janë angazhuar pa një proces transparent dhe konkurrues në mohim të tërësishëm të beneficioneve që i përcakton Ligji i Punës, ashtu siç konstaton edhe ZKA-ja në raportin e saj.
Gjithashtu po bëhet evidentimi i vijueshmërisë si dhe është shfuqizuar vendimi absurd i cili lironte nga evidentimi 58 punonjësve me pozita kryesisht menaxheriale. Askush në RTK nuk do të marrë pagesë nëse nuk paraqitet në punë. Përtej kësaj, do të ketë vlerësim të përformancës për të gjithë punëtorët e RTK-së, sipas legjislacionit në fuqi.
Me rekomandim të Bordit dhe pas një analize të detajuar të dokumentacionit të brendshëm, janë fuqizuar kontrollet e brendshme me qëllim që të eliminohen parregullsitë rreth avancimit, sistemimit, dhe respektimit të orarit të punës. Kjo ka rezultuar me shkëputjen e kontratave të punës me RTK-në për një numër të caktuar të punëtorëve, të cilët gjatë kontrolleve kanë refuzuar në mënyrë deklarative ose të heshtur respektimin e rregulloreve të RTK-së. Në anën tjetër, Rekrutimi i stafit të RTK-së do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregullativën e brendshme, duke i marrë parasysh nevojat e programit.
Po ashtu një nga vendimet e para të bordit të RTK-së me të marrë detyrën ishte ndërprerja e marketingut me kompensim (këmbim jo monetar) ku siç konstaton ZKA parimi i vlerës së drejtë nuk është zbatuar në RTK. Po ashtu është ndërprerë blerja e produkteve informative dhe kontraktimi i ri i blerjes se lajmeve nga agjencitë vendore të lajmeve.
Duke marrë parasysh gjetjet e Bordit në muajt paraprak e të cilat vërtetohen tashmë edhe nga ZKA-ja, Bordi aktual më 19 janar të këtij viti e ka shkarkuar nga detyra drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati për shkak të keqmenaxhimit me RTK-në.
Në frymën e punës aktive dhe dinamike të dëshmuar në muajt e kaluar, Bordi i RTK-së do të mbikëqyrë në mënyrë rigoroze dhe me prioritet hartimin e një plani të veprimit në RTK për implementimin e plotë të rekomandimeve të dy raporteve të ZKA-së brenda afateve të përcaktuara ligjore.
Bordi tashmë ka themeluar komitetin e auditimit të brendshëm prej tre anëtarëve, ku dy nga ta janë të jashtëm, të cilët janë rekrutuar me konkurs publik. Kjo është hera e parë që është respektuar ligji dhe që dy anëtarët e komitetit janë të jashtëm. Në këtë mënyrë do të fuqizohet Njësia e Auditimit të Brendshëm, dhe do të sigurohet pavarësia e saj, gjë që kjo do të ndikojë në funksionimin sa më të mirë të RTK-së, si dhe do të merren masa të menjëhershme sapo të evidentohen parregullsi eventuale.
Bordi i RTK-së e ka aprovuar skemën e re programore për vitin 2022 vetëm pasi është siguruar se në programin e RTK-së janë marrë parasysh nevojat e grupeve të ndryshme të publikut. Në këtë kuadër, Bordi nga radhët e tij ka krijuar një komision që do ta mbikëqyrë zbatimin e skemës programore. Për të marrë sugjerimet dhe vërejtjet e qytetarëve dhe duke zbatuar Ligjin për RTK-në, Bordi ka emëruar përmes konkursit publik, Grupin Këshillues të Publikut .
Bordi i RTK-së siguron opinionin publik se do të vazhdojë t’i adresojë në vazhdimësi rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në mënyrë që RTK-ja të funksionojë në përputhje me kërkesat e publikut që derivojnë nga Ligji për RTK-në, statutin, standardet profesionale dhe rregullativen e brendshme. Me angazhimin që do të bëhet në adresimin e rekomandimeve të ZKA-së, por edhe adresimin e shumë çështjeve tjera, raportet e ZKA-së në vitin tjetër do të tregojnë për përmirësim të dukshëm të situatës dhe menaxhim më të mirë dhe efikas, thuhet në komunikatën e Bordit të RTK-së”, njofton bordi i RTK.
Top Channel