Ministria e Jashtme ruse bëri të ditur se do të mbajë një takim me krerët e mediave amerikane në Moskë, të hënën që vjen (më 6 qershor) për t’i njoftuar ato për ndërmarrjen e masave të ashpra si përgjigje ndaj kufizimeve amerikane ndaj mediave ruse.
Zëdhënësja e ministrisë Maria Zakharova tha sot se nëse puna e mediave ruse në Shtetet e Bashkuara nuk normalizohet, kjo do të pasohet në mënyrë të pashmangshme nga masa tejet të rrepta.
Zonja Zakharova tha se gjatë takimit të hënën në Ministrinë e Jashtme, përfaqësuesve të mediave amerikane do t’u shpjegohen pasojat e asaj që ajo e cilësoi, linjë armiqësore e qeverisë amerikane në sferën mediatike.
Rusia ka akuzuar vendet perëndimore për vendosjen e kufizimeve të padrejta ndaj mediave të saj jashtë vendit, përfshirë ndalimin e disa mediave të mbështetura nga shteti (rus).
Muajin e kaluar ligjvënësit rus miratuan një projektligj që u jep prokurorëve kompetenca për të mbyllur zyrat e huaja mediatike në Moskë, nëse një vend perëndimor ka qenë “jomiqësor” me median ruse.
Prej fillimit të sulmit në Ukrainë në muajin shkurt, Rusia ka goditur qasjen mediatike ndaj konfliktit, duke vendosur dënime me 15 vjet burg për ata gazetarë që siç ka thënë, përhapin qëllimisht lajme “të rreme” rreth atij që Moska e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Ligji ka detyruar disa media perëndimore të tërheqin gazetarët e tyre nga Rusia. Organizata të tjera perëndimore, përfshirë agjencinë “Reuters”, kanë qëndruar në vend dhe vazhdojnë të raportojnë prej andej.
Rusia thotë se po kryen në Ukrainë një “operacion special ushtarak” për të çarmatosur dhe “denazifikuar” këtë vend. Kievi dhe aleatët e tij e quajnë këtë një pretekst të pabazë, për një luftë që ka shkaktuar me mijëra të vrarë, ka rrafshuar qytete dhe ka detyruar më shumë se 6 milionë persona të largohen nga vendi./VOA
Top Channel