Turqia kërkon të ndryshojë emrin me të cilin njihet jashtë kufijve. Një diplomat i lartë turk pohoi se Kombeve të Bashkuara u është dërguar një letër në të cilën i kërkohet OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që në të ardhmen të përdorin emërtimin “Türkiye” dhe jo “Turkey”.
Agjensia shtetërore e lajmeve, Anadolu thotë se Turqia nuk dëshiron më që në arenën ndërkombëtare dhe dokumentet diplomatike ndërkombëtare të quhet “Turkey”, pra me emërtimin në gjuhën angleze, por “Türkiye”.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan konsideron se përkufizimi “Made in Türkiye” e shpreh më mirë kulturën, qytetërimin dhe vlerat e kombit turk. Megjithatë, duket se ka dhe një arsye tjetër për këtë nismë, e cila ka nisur që dhjetorin e 2021-shit me një dekret të firmosur nga Erdogani.
Përdorimi i toponimit anglisht kundërshtohet për një kohë të gjatë nga Turqia, kjo edhe për faktin se fjala “turkey” në anglisht do të thotë edhe “gjel deti”.
Në fund të vitit të kaluar Turqia vendosi të fusë në përdorim emërtimin “Made in Türkiye” për produktet e saj të eksportit, e ajo përdoret tashmë edhe në videot promocionale të turizmin në këtë vend.
Top Channel