Lufta në Ukrainë do zgjasë me muaj, Blinken: Rusia nuk po tërhiqet!

02/06/2022 12:26

Nuk ka një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë; ecuria në terren duket se këtë tregon sipas Shteteve të Bashkuara, të cilat presin që konflikti të zgjasë për muaj tërë.

Pohimin e bëri sekretari i shtetit, Antony Blinken, i cili hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Washingtoni e përshkallëzoi situatën me presidentin rus Vladimir Putin.

“E thënë sa më thjeshtë, mënyra më e mirë për të shmangur përshkallëzimin është që Rusia të ndalojë agresionin dhe luftën që ajo vetë filloi. E ka fuqinë për ta bërë një gjë të tillë.”- tha Blinken

Por Moska, theksoi Blinken, nuk po jep shenja tërheqjeje.

“Në rastin më të mirë që mund të vlerësojmë tani, ne presim ende edhe shumë muaj konflikt. E përsëris, e gjithë kjo mund të marrë fund nesër nëse Rusia vendos t`i japë fund sulmit. Megjithatë, për momentin, nuk po shohim asnjë shenjë të tillë.”- tha Blinken

Komentet e tij, kryediplomati amerikan i bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili u shpreh se Putini po përballet me një aleancë më të fortë, me më shumë forca ushtarake dhe me më shumë vende anëtare, ndryshe nga sa e priste. Ai mirëpriti dhe paketën e re të ndihmave ushtarake për Ukrainën që presidenti Joe Biden njoftoi të martën  dhe falenderoi Shtetet e Bashkuara për rritjen e pranisë ushtarake në mbarë Europën, me mbi 100 mijë forca të dislokuara, të mbështetura nga njësi ajrore dhe detare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA