Kompania më e madhe e energjisë së Danimarkës tha se Rusia ka ndërprerë furnizimet me gaz të mërkurën sepse kompania ka refuzuar që të paguajë me rubla. Ky është përshkallëzimi i fundit në sektorin e energjisë së Evropës, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon.

Rusia paraprakisht kishte ndërprerë furnizimet me gaz natyror për Finlandën, Poloninë dhe Bullgarinë, pasi këto shtete kanë refuzuar që të paguajnë me rubla për këtë lëndë. Po ashtu, të martën Moska ndërpreu furnizimet edhe për Holandën.

Kompania e energjisë së Danimarkës, Ørsted, tha se pret që të jetë në gjendje ende të shpërbejë konsumatorët e saj. “Ne qëndrojmë prapa vendimit për të refuzuar që të paguajmë me rubla dhe ne jemi përgatitur për këtë skenar”, tha shefi i Ørsted, Mads Nipper. “Kjo situatë mbështet nevojën që BE-ja të bëhet e pavarur nga gazi rus duke rritur burimet e energjisë së ripërërishme”, shtoi Nipper.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pas vendosjes së sanksioneve nga Perëndimi, ka thënë se “blerësit nga shtetet jomiqësore” duhet të hapin dy llogari bankare në bankën shtetërore Gazprombank, dhe në një prej tyre të paguajnë me dollarë ose euro dhe më pas në llogarinë tjetër ato të konvertohen në rubla.

Sipas të dhënave të autoriteteve daneze, pothuajse 25 për qind e gazit vjen nga Rusia. Agjencia për Energji e Danimarkës tha se ndërprerja e furnizimeve nuk do të ketë pasoja të menjëhershme.

“Ne do të vazhdojmë të kemi gaz në Danimarkë dhe konsumatorët do të vazhdojnë të furnizohen”, tha Kristoffer Böttzauw, drejtor i Agjencisë për Energji të Danimarkës.

“Por, ne kemi plane nëse situata përkeqësohet”, shtoi ai.  Pasi që nuk ka tubacion të gazit që sjell gaz drejtpërdrejt nga Rusia në Danimarkë, Rusia nuk mund të ndërpresë drejtpërdrejt furnizimet e gazit për Danimarkën, tha Ørsted. Ky vendim i Rusisë nënkupton se Danimarka mund të blejë gaz në tregun evropian të gazit, shtoi kjo kompani. Në Danimarkë, afër 380,000 familje përdorin gazin natyror për ngrohje./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA