![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/105809203-1b80fc90-90c1-4fd0-9717-a69bd8f405fa_sd-800x450.jpg)
Kremlini ka akuzuar SHBA-në se “i ka hedhur benzinë zjarrit qëllimisht” pasi Uashingtoni njoftoi se do të furnizonte Ukrainën me sisteme të avancuara raketore.
“Furnizimet e tilla nuk e inkurajojnë Kievin të rifillojë bisedimet e paqes. Uashingtoni dëshiron të luftojë me Rusinë deri në ukrainasin e fundit”, u tha gazetarëve zëdhënësi rus, Dmitry Peskov.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord për t’i siguruar Ukrainës raketa të cilat mund të arrijnë objektiva deri në 70 km (45 milje).
Por kjo marrëveshje ka ardhur, pasi SHBA-ja mori garanci se armët nuk do të përdoren për të sulmuar objektivat brenda Rusisë.
Pas kësaj deklarate, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij “nuk ka ndërmend” t’i përdori armët për këtë gjë.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov është shprehur se dërgimi i planifikuar i këtyre armëve të reja në Ukrainë rrit rrezikun e tërheqjes së SHBA-së në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
“Çdo furnizim me armë që vazhdon… rrit rreziqet e një zhvillimi të tillë. Kjo është e paprecedentë, kjo është e rrezikshme”, tha ai, sipas BBC.
Top Channel