Turqia nuk do të mbajë më bisedime të nivelit të lartë me Greqinë, kështu tha të mërkurën presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, mes tensioneve në rritje mes rivalëve tradicionalë.
“Ju shfaqeni me avionët tuaj herë pas here, çfarë po bëni? A nuk keni marrë ndonjë mësim nga historia? Ku ishit në histori, ku jeni tani? Pastaj qani dhe ankoheni. Mos u përpiqni të kërceni më kot me Turqinë.Do të lodheni e do ta gjeni veten të bllokuar. Nuk ka më bisedime dypalëshe me Greqinë”, tha Erdogan.
Duke iu referuar kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, Erdogan, pa e përmendur atë tha se :
“Ai shkon mban një fjalim në Kongresin amerikan dhe flet kundër nesh , pastaj shkon në Davos dhe bën të njëjtën gjë. Boll më, jemi të ngopur me këtë histori . Bëhu i sinqertë. Nëse do të jesh i sinqertë, karrigia jote është gati para nesh, por nëse nuk do të jesh i sinqertë, atëherë më vjen keq”.
Ankaraja rifilloi negociatat me Athinën vitin e kaluar pas një ndërprerjeje pesëvjeçare për të adresuar mosmarrëveshjet mbi një sërë çështjesh si kërkimi i mineraleve në Mesdheun lindor dhe pretendimet në detin Egje.
Autoritetet turke thonë së fundmi se grekët kanë vendosur trupa në ishujt e Egjeut në kundërshtim me traktatet e paqes që pasuan Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore.
Athina kundërshton duke thënë se trupat janë vendosur në përgjigje të pranisë së njësive ushtarake turke në bregun përballë.
Top Channel