Kopshti i ri Zoologjik do të hapë dyert të shtunën, më katër qershor në mesditë, me një sërë surprizash për fëmijët e Tiranës.
Vizitorët e sotëm të Kopshtit Zoologjik, në Ditën e Fëmijëve, ishin fëmijët e familjeve frekuentuese të qendrave sociale dhe të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, të cilët së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, panë detajet e fundit, para hapjes së madhe.
“Në Kopshtin e ri Zoologjik do të kemi shumë aktivitete, madje mund të kalosh edhe natën në tenda, mes kafshëve, mund të festojmë ditëlindjet, kemi klasat mësimore që mund të rezervohen, si klasa e biologjisë, e diturisë së natyrës dhe e zoologjisë, mund të zhvillohen praktika studentore për Universitetin Bujqësor të Tiranës, e shumë të tjera. Do të jetë vërtet një eksperiencë e jashtëzakonshme për fëmijët, ndaj mezi po e pres ditën e shtunë, kur do të bëjmë hapjen e madhe. Qyteti ka fituar një xhevahir të jashtëzakonshëm! Shumica e kafshëve ka ardhur, po presim majmunët e racës lemur dhe kafshë të tjera që janë rrugës. Ndërkohë, dy luanë dhe një tigër tashmë kanë ardhur dhe ende po ambientohen me territorin, duke qenë se kanë ndryshuar habitatin”, tha Erion Veliaj.
Veliaj theksoi se ky investim i jep Tiranës jo thjesht një Kopsht të denjë Zoologjik, por i rrit edhe vlerën pronave përreth.
“Për ata që kundërshtojnë projektet e Tiranës, si Sheshi, Lodrat te Liqeni, Pazari i Ri, Kalaja, tani Kopshti Zoologjik, apo minorancën e vogël që kundërshton projektin e Kopshtit Botanik, thjesht duhet të vijnë ta shohin dhe të kuptojnë se është dita me natën. Që tani është rritur vlera e banesave në gjithë këtë zonë. Përfitimi nuk është i menjëhershëm, por vjen si rrathët koncentrikë, në fillim pasuron gjithë zonën. Me të mbaruar këtu, do të zgjidhim gjyqet dhe konfliktet me ata që na pengojnë tek Kopshti Botanik, pastaj do të vazhdojmë me pishinat te Diga e Liqenit, për t’i dhënë njëherë e mirë drejtim hapësirave më dinjitoze të Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nuk la pa përmendur edhe parkimin e ri nëntokësor që do të jetë në hyrje të Kopshtit Zoologjik.
“Në hyrje të Kopshtit Zoologjik kemi edhe një parking nëntokësor. E di që nuk do të ketë kurrë vend për 200 mijë makina, por nga një Tiranë pa asnjë parking nëntokësor, në një Tiranë me parkingje të tilla te “Sheshi Skënderbej”, “Bulevardi Ri”, “7 Xhuxhat” dhe “Sheshi Italia”, sa fituam një parking tjetër, e morëm nga zaptimi privat tek Garda, e njëjta gjë poshtë tek diga, tani dhe te Kopshti Zoologjik, do të thotë se çdo ditë po japim më shumë hapësira për lagjen”, shtoi më tej ai.
Top Channel