Shtetet e Bashkuara u bindën të plotësojnë kërkesën e hershme të Kievit për të nisur drejt Ukrainës sistemet më të avancuara raketore.
Armët e kërkuara prej kohësh nga vend ii përballur me agresionin rus, do ta ndihmojnë tani atë të godasë me saktësi forcat armike në distance më të gjata. Njësitë e njohura si HIMARS, mund të lëshojnë raketa të shumta të precizionit të lartë ndaj shënjestrave të ndodhur deri në 70 km larg- një distancë kjo më e madhe nga sa mbulojnë armët që ka Ukraina aktualisht. Deri më tani, Washingtoni e kishte refuzuar dërgimin e tyre nga frika se këto sisteme mund të përdoreshin kundër objektivave në Rusi.
Por presidenti Joe Biden theksoi se kjo lloj ndihme do ta forcojë pozicionin negociator të Kievit kundrejt Rusisë dhe do ta bëjë më të mundshme arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit. Në një shkrim shpjegues tek New York Times, ai shpjegoi se kjo është arsyeja përse ka vendosur “ që t`u ofrohen ukrainasve sisteme më të avancuara raketore dhe municione të cilat do t’u mundësojnë atyre të godasin më saktë objektivat kryesore në fushën e betejës në Ukrainë.
SHBA pret që Ukraina t`i vendosë këto armë në rajonin lindor të Donbasit, ku luftimet janë më intensive dhe ku ato mund të përdoren për të goditur njësitë e artilerisë ruse dhe forcat ruse që mësyjnë qytete në zonë. Por zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se për dërgimin e sistemeve HIMARS u ra dakord vetëm pasi morën garanci nga Presidenti Volodomyr Zelensky se armët nuk do të përdoreshin për të sulmuar objektivat brenda Rusisë.
Ne nuk do të dërgojmë në Ukrainë sisteme raketash që mund të godasin Rusinë. Situata është përkeqësuar, por unë shpresoj që tani të fillojnë e të bëhen më racionalë.
Edhe Zelensky vetë e pohoi këtë në një prononcim për rrjetin amerikan Neësmax. “Ne nuk jemi të interesuar për atë që po ndodh në Rusi,” tha ai. “Ne jemi të interesuar vetëm për territorin tonë në Ukrainë”.
Top Channel