10 mijë metra katrorë tokë buzë detit në Sarandë duhet të ishin pronë shtetërore por dyshohet se u tjetërsuan dhe u kthyen në kantier ndërtimi.
Nisur nga ky fakt Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin në finalizim të të cilit u lëshuan 10 urdhër-arreste për zyrtarë të bashkisë, Kadastrës dhe biznesmenë që kishin ndarë mes tyre tokën shtetërore.
I dyshuar për shpërdorim detyre e tjetërsim pronash u arrestua Pandi Zhonga, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj. I përfshirë në këtë skemë tjetërsimi ishte edhe noteri Aleko Anagnostini cili po ashtu është arrestuar. Hetimet zbuluan se toka shtetërore e pozicionuar buzë detit në zonën e quajtur kanali i Çukës në Ksamil nëpërmjet falsifikimit të dokumentave u nda në persona të tjerë të cilët më pas e shfrytëzuan për ndërtim.
Burime për Top Channel thanë se përveç zyrtarëve nën hetim janë edhe personat që kanë përfituar nga ky tjetërsim pronash. Policia ka ekzekutuar 5 urdhër-arreste ndërsa 5 persona të tjerë janë në kërkim.
Edhe në mars të këtij viti Policia e Sarandës ka vënë në pranga katër zyrtarë e ish-zyrtarë pasi u zbulua se kishin legalizuar disa objekteve pa leje në qytetin e Sarandës. Arrestimi erdhi pas një kallëzimit penal nga Drejtoria e Anti-korrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar 10 persona u vunë para drejtësisë si të dyshuar për tjetërsim të pronave në bregdetin e Dhërmiut dhe Himarës. Operacione të ngjashme janë kryer edhe në Lezhë ku janë hetuar tjetërsime të pronave në Shëngjin.
Top Channel