Nga sot, në Tiranë, ka nisur “Java e Kulturës Italiane”, gjate se cilës do të organizohen një sërë aktivitetesh me fokus kulturën, ekonominë, artin dhe muzikën.
Ne konferencën për shtyp, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vuri theksin te fqinjësia e mirë mes dy vendeve.
“Jemi me fat që kemi këta fqinj. Imagjinoni si do ishte Shqipëria sot, nëse nuk do kishim Marco Casamontin e stadiumit, Stefano Boerin me planin urbanistik për Tiranën, ose nëse nuk do kishim miqtë tanë nga Puglia, duke filluar nga bashkëpunimi që kemi për Ujësjellësin deri te ‘Iluminaria’, dritat që do ndezim sot në mesnatë. Duhet të jemi mirënjohës për fqinjësinë që kemi, e cila është më shumë se një fqinjësi sepse ajo qe ne kemi me Italine është një vëllazëri e vërtetë“, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se aktiviteti i parë i “Javës së Kulturës Italiane” janë iluminarët e famshëm te Puglias, që do të ndizen sot në mesnatë në Bashkinë e Tiranës dhe në zonën e pedonales.
“Kjo është një mundësi vërtet për t’u ndriçuar. E kuptoj që në ambientin ku jetojmë, në një ambient urban shumë i ngjashëm me stresin, dhe trafikun, edhe në Romë dhe Milano, kemi nevojë që të heqim pak toksina, të heqim pak cinizmin, edhe skepticizmin që na karakterizon ndonjëherë, dhe të jemi pak më optimistë”, tha Veliaj.
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizzio Bucci zbuloi disa nga aktivitetet që do organizohen në kuadër të “Javës së Italisë”.
“Kemi ideuar 54 evente. Kemi menduar pak nga gjithçka. Kemi menduar aktivitete, organizime për të kënaqur të gjithë, duke nisur nga ato më klasiket, të një niveli më të lartë kulturor, siç ishte pjesëmarrja e miqve nga teatri Regio i Parmës me Ballon me Maska. Nesër, në mbrëmje do të jetë edhe premiera e kësaj vepre të rëndësishme, të një niveli shumë të lartë por kemi parashikuar edhe shumë gjëra për të rinjtë, siç është “Pizza -Village”, ku do jenë disa picierë që do të vijnë nga Italia, në sheshin “Italia” (e ku tjetër mund ta organizonim një “Pizza-Village”, me piza për të gjithë banorët e Tiranës. Shijojeni këtë javë, do të ketë shumë organizime, shumë aktivitete, do të jetë një javë shumë e ngjeshur, nga data 1 deri 7 qershor. Është njësoj si të shijosh pak nga Italia, një shije e asaj çka Italia di të shprehë sa i përket nivelit artistik e kulturor”, tha ambasadori Fabrizio Bucci.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se kjo javë do jetë një shije italiane në Tiranë.
“Kemi sjellë shumë nga shija italiane, nga shija e së bukurës, nga shija e ushqimit. Nuk mund të mungonte Pizza Village, e po ashtu siç po sjellim eksperiencën e dritave, siç po sjellim teatrin, ashtu siç po sjellim “E bukura e dizajnit”, ku do flasim për arkitektët. Falënderoj shumë ambasadorin dhe gjithë stafin e ambasadës dhe të ministrisë dhe të Bashkisë së Tiranës që kanë punuar për të gjithë detajet, për të organizuar këtë javë”, përfundoi Margariti.
Top Channel