BE-ja kërkon mënyra të reja për të ndihmuar Ukrainën

31/05/2022 16:26

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian vazhduan sot një takim dy-ditor të nivelit të lartë që synon të ndëshkojë Rusinë pas sulmit të Ukrainës dhe të forcojë ekonominë e shkatërruar të vendit.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të hënën vonë të ndalojnë dy të tretat e importeve të naftës ruse, duke patur parasysh efektet ekonomike në disa vende të bllokut, që varen më shumë nga furnizimet ruse me naftë.

Pasi arritën një kompromis brenda natës për të vendosur embargo ndaj shumicës së importeve të naftës ruse, udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të përqëndrohen të martën në mënyrat për të ndihmuar Ukrainën të eksportojë miliona tonë drithë të bllokuar nga lufta.

Udhëheqësit pritet t’i bëjnë thirrje Rusisë të ndalojë sulmet e saj ndaj infrastrukturës së transportit në Ukrainë dhe të heqë bllokimin e porteve në Detin e Zi në mënyrë që drithërat të mund të dërgohet jashtë, veçanërisht nga porti i Odesës.

Ukraina thotë se Rusia ka penguar eksportin e 22 milionë tonë drithërave të saj dhe po nxit një krizë globale ushqimore.

Embargoja e naftës ruse që u vendos mbrëmë ishte një kompromis, që u arrit pas negociatash të vështira për të siguruar miratimin e Hungarisë, e cila nuk ishte dakort për bllokimin 100 për qind të naftës ruse.

Udhëheqësit e BE-së, ranë dakort të shkurtojnë rreth 90 për qind të të gjithë importeve të naftës nga Rusia brenda 6 muajve të ardhshëm.

“Falë kësaj, Këshilli tani duhet të jetë në gjendje të finalizojë një ndalim për pothuajse 90% të të gjithë importeve të naftës ruse deri në fund të vitit. Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Së shpejti do t’i rikthehemi çështjes së 10% të mbetur të naftës që do të lejohet nga naftësjellësit. Dua të theksoj se elementë të tjerë në paketë janë gjithashtu të rëndësishëm, siç është përjashtimi i Sberbank nga sistemi ‘SWIFT Sberbank është banka më e madhe ruse me 37% të tregut. Ekziston një ndalim për sigurimin dhe risigurimin e anijeve ruse nga kompanitë e BE-së, një ndalim për t’u ofruar kompanive ruse një gamë të tërë shërbimesh biznesi. Dhe shumë e rëndësishme, pezullimi i transmetimit në Bashkimin Evropian të tre mediave të tjera shtetërore ruse, të cilat në mënyrë tipike po përhapnin gjerësisht dezinformatat që kemi parë gjatë javëve dhe muajve të fundit”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Hungaria udhëhoqi një grup vendesh të BE-së të shqetësuara për ndikimin e ndalimit të naftës ruse në ekonomitë e tyre, duke përfshirë Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Bullgarinë.

BE-ja ka vendosur deri tani pesë raunde sanksionesh ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, por paketa e gjashtë e masave të shpallura më 4 maj ishte penguar nga shqetësimet për furnizimet me naftë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban e kishte bërë të qartë se mund të mbështeste sanksionet e reja vetëm nëse garantohej siguria e furnizimit me naftë të vendit të tij.

Hungaria merr më shumë se 60% të naftës së saj nga Rusia dhe varet nga nafta e papërpunuar që vjen përmes naftësjellësit Druzhba të epokës sovjetike.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se sanksionet e BE-së po e përkeqësojnë situatën.

Putini ka thënë se do të ishte i gatshëm të ndihmonte në lehtësimin e shqetësimeve nëse hiqen sanksionet ndaj vendit të tij./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA