Zelensky në samitin e BE: Jepni fund zënkave dhe ndëshkoni Rusinë

30/05/2022 23:00

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua të hënën samitit të jashtëzakonshëm të BE, duke kërkuara që shtetet anëtare t’i japin fund “zënkave” të brendshme duke thënë se ato vetëm sa ndihmojnë më shumë Moskën dhe kërkoi nga blloku të miratojë më shumë sanksione kundër Rusisë.

“Të gjitha grindjet në Evropë duhet të marrin fund, mosmarrëveshjet e brendshme që vetëm inkurajojnë Rusinë për të bërë gjithnjë e më shumë presion mbi ju, mbi të gjithë Evropën. Duhet të bihet dakord për paketën e gjashtë të sanksioneve. Duhet të jetë efektive, përfshirë naftën. Për ta bërë Rusinë të ndjejë pasojat e asaj që po i bën Ukrainës dhe gjithë Evropës”.

Udhëheqësit e BE-së janë mbledhur për një samit të jashtëzakonshëm në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë, që do të përfshinte një ndalim të naftës ruse. Por Hungaria, e cila është shumë e varur nga gazi rus – thotë deri më tani se nuk do ta mbështesë planin.

Por presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola tha se Bashkimi Evropian “nuk mund të përballojë” që të mos arrihet një marrëveshje për raundin e gjashtë të sanksioneve.

“Unë i kuptoj realitetet me të cilat përballen vende të ndryshme,por ka një kufi se sa fleksibilitet mund të lejojmë pa humbur besueshmërinë ndaj popullatave tona,” theksoi ajo.

Ndërkohë Polonia propozoi futjen e një sistemi të barazimit të çmimeve në Bashkimin Evropian në mënyrë që anëtari tjetër i BE-së të mos përfitojë më nga vazhdimi i importit të naftës ruse.
Megjithatë presidenti polak mateus Morawiecki tha se mbetet optimist se udhëheqësit e BE-së do të jenë në gjendje të bien dakord për një embargo të naftës kundër Rusisë në samitin që po zhvillohet aktualisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA