Putin telefonatë me Erdogan: Rusia e gatshme të lehtësojë eksportin e grurit ukrainas

30/05/2022 18:56

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se është i gatshëm të lehtësojë eksportin e grurit nga portet ukrainase në koordinim me Turqinë.

Gjatë një telefonate me presidentin turk, Tayyip Erdogan, Putin tha se Rusia mund të eksportojë vëllime të konsiderueshme të plehrave dhe ushqimeve në rast se sanksionet kundër Moskës hiqen.

“Gjatë diskutimit të situatës në Ukrainë, theksi u vu në sigurimin e lundrimit të sigurt në detet e Zi dhe Azov dhe eliminimin e kërcënimit të minave në ujërat e tyre”, tha Kremlini.

“Vladimir Putin vuri në dukje gatishmërinë e palës ruse për të lehtësuar tranzitin detar të papenguar të mallrave në koordinim me partnerët turq.

Kjo vlen edhe për eksportin e grurit nga portet e Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë 29% të eksporteve globale të grurit, kryesisht nëpërmjet Detit të Zi dhe 80% të eksporteve globale të vajit të lulediellit.

Pushtimi i Ukrainës ka ndikuar ndjeshëm në tregun e drithërave, me frikën në rritje të mungesës së ushqimit në vendet me të ardhura të ulëta që mbështeten në importet nga Ukraina.

Moska pret një prodhim rekord këtë vit, me eksporte që do të dërgohen nga portet e hapura të Rusisë në Detin e Zi. Portet e Detit të Zi të Ukrainës mbeten të bllokuara nga marina ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA