Cilësia e dobët e ndërtimit, vendimmarrja për dëmet pas tërmetit dhe mungesa e informacionit vazhdojnë të krijojnë shqetësim për mjaft banorë pallatesh në Durrës.
Të hënën, banorë të një pallati 12-katësh janë rikthyer sërish para bashkisë së Durrësit për të kërkuar që të zbatohen rekomandimet e akt-ekspertizës së Institutit të Ndërtimit, që parashikon përforcim të objektit dhe jo shembje të tij.
“Duam të zbatohet çfarë thotë Instituti i Ndërtimit. Nëse ka organ më të lartë se Instituti le të na sjellin shkresë. Nëse inxhinierët e bashkisë, janë më ekspertë të na e shpjegojnë. Pallati është për riforcim sipas Institutit ndaj të na e shpjegojë bashkia pse nuk po veprohet dhe pse, sipas fjalëve, duan ta shembin.”- thanë banorët
“Bashkia ta vërë ujin në zjarr se po na streson vazhdimisht duke mos dhënë përgjigje dhe aluduar për gjëra të tjera. Fajin e bashkisë nuk mund ta vuajnë qytetarët. Kur ndërtohet një pallat nuk mund ta bësh 6 metra larg tjetrit dhe pa bërë asnjë kolaudim. Ndryshe do të konstatohej inklinimi (animi) që kur është ndërtuar.”
“Po u shemb ai pallat ne dolëm në mes të rrugës. Jam futur i pari në dhjetor të 2004-s. Pallati që kur kemi hyrë ka pasur devijim.”
Sipas banorëve, pallati ka pasur që kur është ndërtuar një anim të dukshëm, ndërsa ndërtimet e tjera të bëra në shkelje të rregullave të urbanistikës, po dhe tërmeti e kanë bërë dhe më të pasigurtë objektin ku banojnë 43 familje. Akti i ekspertizës së Institutit të Ndërtimit, lëshuar në 2020, konstaton se ky pallat nuk i përgjigjet kërkesës sizmike dhe kërkon përforcim, si dhe studim e punime për shmangjen e inklinimit ose sigurim të qëndrueshmërisë së objektit të devijuar. TCh u interesua në bashkinë e Durrësit ku mësoi se pallati 12-katësh do të prishet, pasi ekspertizat e mëtejshme kanë nxjerrë në pah se devijimi i pallatit vijon, duke e bërë atë të pasigurtë për banim. Së shpejti, ky vendim do të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak.
Top Channel