”Mos shkoni në Turqi”, Izraeli në alarm-paralajmëron qytetarët!

30/05/2022 16:56

Izraeli ka paralajmëruar shtetasit e tij që të mos udhëtojnë drejt Turqisë në mesin e kërcënimeve iraniane për shpagim pas ekzekutimit të një koloneli të Gardës Revolucionare Islamike javën e kaluar.

Teherani fajëson shtetin hebre për vrasjen e Hassan Sayad Khodai, i cili u qëllua për vdekje në makinën e tij nga dy njerëz me motoçikleta. Përmes një deklarate, Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Izrael njoftoi se mund të ketë tentative për të lënduar izraelitët në Turqi, ndaj e ka shpallur këtë shtet “me rrezikshmëri të lartë”.

“Niveli i rrezikut është i madh. Paralajmërimi ynë buron nga kërcënime reale ndaj izraelitëve në Turqi”, tha edhe zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett.

Autoritetet turke të sigurisë nuk kanë bërë ende asnjë koment lidhur me këto paralajmërime. Turqia është destinacion i famshëm për izraelitët dhe pas më shumë se një dekade tensionet, dy vendet janë në fazën që po tentojnë përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre.

Izraeli e kishte akuzuar Khodain për organizim të sulmeve kundër izraelitëve në mbarë botën. Zyra e Bennettit, e cila mbikëqyr agjencinë hebreje te inteligjencës Mossad, nuk ka komentuar vrasjen në Teheran, por deklaroi se republika islamike do ta paguajë shumë shtrenjtë nëse sulmon izraelitët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA