I maskuar si grua e në karrige me rrota, kështu arriti një i ri të kalonte radhët e sigurisë në Muzeun e Louvre-t me një tortë me vete, të cilën ia përplasi më pas kryeveprës së Lenardo da Vincit, Mona Lisa.
Fatmirësisht, piktura që tërheq kureshtarë nga e gjithë bota nuk pësoi dëmtime, e kjo falë xhamit të saj mbrojtës, i cili nuk lejoi të prekej veprat e paçmuar e artit, e krijuar nga mjeshti i madh në periudhën 1503-1519.
Videot që qarkulluan në mediat sociale tregonin të riun që merrej me forcë nga policia, ndërsa thërriste se ka njerëz që po përpiqen të shkatërrojnë planetin, dhe se lipset ndërgjegjësim për këtë rrezik.
Xhami mbrojtës i pastrua nga punonjësit e muezeut, ndërsa piktura vetë nuk pësoi asnjë dëm. Mona Lisa i ka mbijetuar kërcënimeve të pafundme përgjatë më shumë se 500 vitesh.
Kryevepra e Leonardos është sot një prej veprave të artit më të mbrojtura në botë. Sulmi më i fundit ndaj saj u shënua në 2009-tën, kur një grua ruse së cilës iu mohua nënshtetësia franceze, nga zemërimi lëshoi drejt pikturës një filaxhan qeramike, sërish pa e dëmtuar atë.
Top Channel