Izraeli paralajmëron kundër udhëtimeve drejt Turqisë

30/05/2022 09:21

Izraeli ka paralajmëruar shtetasit e tij që të mos udhëtojnë drejt Turqisë, duke cituar kërcënimet iraniane për hakmarrje, për shkak të vrasjes së një koloneli të Gardës Revolucionare Islamike javën e kaluar.

Teherani fajëson Izraelin për vrasjen e kolonelit, Hassan Sayad Khodai, i cili është qëlluar për vdekje në makinën e tij nga dy njerëz me motoçikleta, si dhe është zotuar për hakmarrje.

Vritet një kolonel i Gardës Revolucionare në Iran

Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Izrael, ka thënë përmes një deklarate se Teherani mund të synojë që të lëndojë izraelitët në Turqi, andaj e ka shpallur këtë shtet “me rrezik të lartë”.

Turqia është destinacion i famshëm për izraelitët dhe dy shtetet janë duke tentuar që të përmirësojnë marrëdhëniet pas më shumë se një dekade të tensionuar.

Izraeli ka akuzuar Khodain për organizimin e sulmeve kundër izraelitëve në gjithë botën.

Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, e cila mbikëqyr agjencinë e inteligjencës Mossad, nuk ka komentuar vrasjen në Teheran, mirëpo ka thënë se Irani do të paguante “çmim të lartë” nëse sulmon izraelitët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA