Edhe pse tregtia e jashtme shënoi rekorde në vlerë, shifrat e transportit tregojnë se sasia e mallrave që ka hyrë në vend është ulur në krahasim me një vit më parë.
Në muajin prill trendi rënës i sasisë së mallrave në porte dhe hekurudha ka vazhduar. Për prillin rënia në porte është 5.7%, ndërsa për 4-mujorin e parë të vitit ulja arrin në 6.9%.
Rënie ka edhe transporti i mallrave nëpërmjet hekurudhës, por ajo detare ndjehet më shumë pasi përbën gjysmën e transportit të mallrave që vijnë në vend.
Në Shqipëri po vijnë më pak materiale ndërtimi, çmimet e të cilave janë rritur për shkak të luftës, ndërsa rënie sipas shifrave nga Doganat ka pësuar edhe sasia e naftës.
Qeveria mori një vendim për të kompensuar 30% lëndën e parë të kompanive në projektet e rindërtimit, në mënyrë që investimet publike të mos ndaleshin.
Ulja e sasisë së mallrave dhe rrjedhimisht ajo e konsumit në vend është një faktor shqetësues, pasi ky zë është kryesor sa i përket rritjes së prodhimit të brendshëm në vend.
Ministria e Financave parashikon që rritja ekonomike të jetë në nivelin 3.2%, por inflacioni i lartë dhe rëndimi i mëtejshëm I krizës energjetike mund ta përkeqësojë këtë tregues.
Ndërkohë nga shifrat e transportit, i vetmi sektor ku vendi ynë po performon mirë në katër muajt e parë të vitit është fluksi i pasagjerëve. Rritjen më të fortë e ka pësuar transporti i pasagjerëve nga ajri, ndërsa numri i fluturimeve është rritur me 2.5 herë.
Ndërkohë edhe nga deti ka pasur një tendencë të tillë, me pasagjerët në tragete, që kanë ardhur me 76% rritje nga një vit më parë.
Kjo shihet edhe nga shifrat e hyrjes së shtetasve të huaj që në muajin prill I janë përafruar vitit 2019, që mbahet si viti më i mirë për hyrjen e shtetasve të huaj në vend.
Top Channel