Gjermania dhe Franca sërish janë përpjekur të kthejnë presidentin Putin në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një armëpushim. Presidenti Zelensky e quan Rusinë shtet të terrorit.
Presidenti ukrainas, Zelensky e ka akuzuar Rusinë për politikë të terrorit. “Unë do t’ia kujtoj gjithmonë botës, se Rusia më në fund zyrtarisht duhet të njihet si shtet terrori, si nxitëse e terrorizmit”, tha presidenti ukrainas në një fjalim me video në Kiev. Ky përcaktim reflekton realitetin e përditshëm, që Rusia ka krijuar me sulmin e saj kundër Ukrainës dhe do që ta “çojë shumë më tepër drejt Europës”. Zelensky theksoi se “kjo duhet të pranohet ligjërisht.”
Biseda telefonike Scholz-Macron-Putin
Presidenti rus ka paralajmëruar Gjermaninë nga dërgimi i armëve të tjera në Ukrainë. Në një bisedë telefonike mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidentit Putin të shtunën, kreu i Kremlinit është shprehur, se dërgimi i armëve të tjera është i “rrezikshëm”. Sipas tij ekziston rreziku që në Ukrainë “situata të destabilizohet më tej dhe të ashpërsohet kriza humanitare.” Putin kërkoi sërish heqjen e sanksioneve në këmbim të eksporteve të grurit.
Sipas zyrës së kancelarit gjerman me Putin është biseduar 80 minuta, një bisedë që erdhi me iniciativë të Scholz dhe presidentit Macron. Si kancelari gjerman edhe presidenti Macron kanë kërkuar edhe njëherë një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e trupave ruse. Më tej ata i bënë thirrje Putinit për negociata të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Zelensky.
Sipas njoftimit zyrtar të Parisit Gjermania dhe Franca kanë kërkuar edhe lirimin e 2500 luftëtarëve që kanë mbrojtur kombinatin e çelikut Azov në Mariupol. /DW/
Top Channel