Kievi i ka bërë thirrje për javë të tëra Uashingtonit për sisteme raketash të shumëfishta të prodhuara në SHBA, (MLRS), të cilat janë më të fuqishme dhe më të manovrueshme sesa sistemet e tjera të artilerisë që Uashingtoni dhe Perëndimi kanë ofruar deri më sot.
Thirrjet u bënë edhe më të forta për shkak të përparimit të forcave ruse në Ukrainën lindore, çka zyrtarët e lartë amerikanë të mbrojtjes e kanë cilësuar si “përparim në rritje”, në një luftë ku është përdorur kryesisht artileri e rëndë e armë me rreze të gjatë veprimi.
Gjatë një komunikimi me gazetarët sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby tha se Uashingtoni është në dijeni të kërkesave të Ukrainës për sisteme raketash të shumëfishta, po shtoi se nuk mund të komentojë rreth një vendimi që nuk është marrë ende.
Zoti Kirby tha se SHBA-të po punojnë çdo ditë për të futur armatime në Ukrainë, të cilat po i ndihmojnë ukrainasit në betejën e tyre ndaj Rusisë.
Pavarësisht komenteve të vakta të sekretarit të Shtypit të Pentagonit, ka disa indikacione se zyrtarët amerikanë mund të jenë gati të dërgojnë në Ukrainë, sisteme raketash të shumëfishta të prodhuara në SHBA, për të ndihmuar në frenimin e ofensivës ruse./VOA