Gjermania dhe Franca bënë një tjetër përpjekje të rikthejnë presidentin Putin në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një armëpushim në Ukrainë, ndërsa Presidenti Zelensky e quan Rusinë shtet të terrorit.
Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz folën me Putinin me telefon për 80 minuta dhe këmbëngulën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse.
Udhëheqësi rus tha se Moska ishte e hapur për rifillimin e dialogut me Kievin, sipas Kremlinit, por nuk përmendën mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Putinit dhe Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas tha më herët se ai nuk ishte “i etur” për bisedime, por shtoi se ato ka të ngjarë të jenë të nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit.
“Përsëri dhe përsëri do t’i kujtoj botës se është e nevojshme që më në fund të njihet zyrtarisht Rusia si një shtet terrorist, një shtet sponsor i terrorizmit. Terror në Ukrainë. Terror në tregun energjetik të Evropës, jo vetëm në vendin tonë. Terror në tregun ushqimor dhe në shkallë globale. Vetëm së bashku, vetëm ne të gjithë evropianët do të jemi në gjendje për të ndaluar një politikë të tillë të një shteti të tillë”, tha Zelensky.
Nga ana tjetër presidenti rus ka paralajmëruar Gjermaninë për dërgimin e armëve të tjera në Ukrainë. Ai i tha Scholz dhe Macron se dërgimi i armëve të tjera është i “rrezikshëm”.
Sipas tij ekziston rreziku që në Ukrainë “situata të destabilizohet më tej dhe të ashpërsohet kriza humanitare”. Putin kërkoi sërish heqjen e sanksioneve në këmbim të eksporteve të grurit.
Ndërkohë në terren Ushtria ruse po përpiqet të rrethojë forcat ukrainase në qytetin e Severodonetsk të Luhansk, bastioni i fundit i madh ukrainas në rajon.
Top Channel