Mijëra ultra-nacionalistë izraelitë marshuan këtë të diel në Jeruzalem. Teksa valëvisnin flamujt hebre, ata parakaluan në rrugët kryesore të qytetit, lëvizje që nga palestinezët konsiderohet provokim i rëndë.
Një grup i dhunshëm sulmoi disa shtëpi palestineze në lagjen Sheikh Jarrah të Jerusalemit Lindor dhe shkatërroi makinat e parkuara në zonë. Ata qëlluan me shkopinj gome, molotov dhe gaz lotsjellës drejt banorëve.
Gjysmëhëna e kuqe raporton për 140 palestinezë të lënduar, 18 prej të cilëve dyshohet se janë plagosur nga plumba të vërtetë.
Izraeli po luan me zjarrin, thuhet në një reagim nga Presidenca palestineze. Kryeministri palestinez Mohammed Shtayyeh i bri thirrje ndërkombëtarëve të ndërhyjnë për të ndaluar dhunën ndaj vendeve të shenjta në qytetin e Jerusalemit. Ndërsa Izraeli thotë se marshimi është për të festuar pushtimin e Jerusalemit lindor nga Izraeli, (përfshirë edhe Qytetin e Vjetër) në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Hebrenjtë u mblodhën jashtë xhamisë Al-Aksa, duke kënduar këngë fetare dhe nacionaliste, ndërsa nuk mungonin thirrjet “Vdekje arabëve”.
Në zonë ndërhyri policia, që shpërndau turmën e njerëzve që feston pushtimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli në luftën e vitit 1967.
Izraeli pretendon se i gjithë Jerusalemi është kryeqyteti i tij. Por, palestinezët, të cilët pretendojnë se Jerusalemi lindor është kryeqyteti i tyre, e kanë parë këtë marsh si provokim.
Vitin e kaluar, ky marshim i ngjashëm nxiti një luftë 11-ditore midis Izraelit dhe militantëve të Gazës. Trazirat ndodhën në një kompleks në majë të një kodre, që konsiderohet vend i shenjtë si nga hebrenjtë ashtu edhe nga myslimanët. Ky kompleks është shtëpi e xhamisë Al-Aksa, vendit të tretë të shenjtë në Islam. Ai po ashtu është vendi më i shenjtë për hebrenjtë, të cilët e quajnë Mali i Tempullit dhe e konsiderojnë atë shtëpi të tempujve biblikë.
Top Channel