Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se ende nuk dihen motivet që çuan 30-vjeçarin Q.J. t;i marrë jetën me armë zjarri moshatarit të tij me inicialet G.H., në orët e para të ditës së sotme në Ferizaj.
Nga ky institucion konfirmojnë se autori i dyshuar Q.J. është në ndalim 48 orësh.
“Motivet lidhur me këtë ngjarje ende nuk dihen, ndërsa, i dyshuari Q.J. me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin për veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thonë nga Prokuroria.
Sot rreth orës 00:53 në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, tek një market kishte të shtëna me armë zjarri dhe sipas informacioneve të para dyshohet se personi me inicialet Q.J., ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se ndaj të dyshuarit Q.J., brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj./ Kosovapress
Top Channel