Ish-presidenti i Rusisë Medvedev i ka bërë thirrje Kremlinit që të ashpërsojë ligjet e tij për agjentët e huaj që kryejnë aktivitete kundër vendit.
Medvedev, i cili tani shërben si nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se zbatimi i legjislacionit për agjentët e huaj duhet të rritet në mes të kësaj periudhe të vështirë. Ai vazhdoi duke thënë se legjislacioni duhet të klasifikojë saktësisht “agjentët e huaj” dhe të vendosë pasoja më të rrepta për veprat e tyre.
“Nëse ata (agjentët e huaj) po kryejnë aktivitete të synuara kundër vendit tonë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të vështirë – dhe marrin para për të nga armiqtë tanë, përgjigja jonë duhet të jetë e shpejtë dhe e ashpër,” shkroi Medvedev në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Medvedev tha gjithashtu se ai mbështet iniciativat legjislative për të ndjekur penalisht njerëzit që punojnë në interes të një shteti të huaj.
Rusia ka legjislacion që i etiketon grupet dhe individët si agjentë të huaj nëse marrin fonde të huaja për t’u përfshirë në atë që autoritetet thonë se është aktivitet politik. Dhjetra kritikë të Kremlinit janë renditur si agjentë të huaj, duke përfshirë gazetarë dhe aktivistë të të drejtave, dhe shumë prej tyre kanë ikur jashtë vendit.
Top Channel