25 milionë euro është fondi që qeveria do të vërë në dispozicion si garanci shtetërore për bizneset që tregojnë me shumicë produktet bazë të shportës.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave linja e garancisë prej 3 miliardë lekë do të shërbejë si një ndihmë për bizneset që janë të detyruara të kenë rezerva të mjaftueshme të produkteve ushqimore për një periudhë 3-mujore.
Huadhënia për bizneset do të jepet nga katër banka të nivelit të dytë bazuar dhe miratimi i kërkesave për kredi nga ana e bizneseve do të miratohet në një kohë më të shkurtër se për një hua normale për shkak të situatës emergjente të krijuar në treg. Megjithatë, në vendim nuk ka detaje mbi kriteret që duhet të plotësojnë subjektet si dhe se si do të ndahet risku mes bankës dhe bizneseve .
Kjo masë pason ngritjen e bordeve të transparencës pas rritjes së fortë të karburanteve dhe çmimeve të mallrave të shportës veçanërisht sa prej luftës në Ukrainë, aq edhe nga abuzimet e konstatuara në treg.
Aktualisht, bordi i transparencës së çmimeve të produkteve të shportës vendos çmimet tavan për katër produkte bazë, miellin, orizin, sheqerin dhe vajin, ku ky i fundit kushton ndjeshëm më shtrenjtë dhe shitet për 381 lekë litri.
Megjithatë, si bordi i transparencës për produktet e shportës ashtu edhe ai për karburantet me gjithë synimin për të kufizuar rritjen e çmimeve, me vendimet e tyre vijojnë t’i nënshtrohen luhatjeve në bursa dhe tregjet ndërkombëtare.
Që prej pandemisë, Financat kanë aplikuar disa skema garancie shtetërore si ajo për pagat e kompanive të mëdha, garancia për likuiditet dhe më pas kjo linjë garancie për bizneset që tregtojë me shumicë produktet bazë.
Sipas aktit normativ të qeverisë për këto skema garancie Ministria e Financave është duke përgatitur ndryshimet ligjore për to pasur ato si një instrument të përhershëm financimi.
Top Channel