”Gjendja në Donbas tejet e vështirë”, Zelensky: I përgjuam telefonatat, ata e dinë se…

25/05/2022 12:08

Gjendja në Donbas është jashtëzakonisht e vështirë, deklaroi presidenti  ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas të cilit e gjithë fuqia e ushtrisë ruse është përqendruar tek sulmi në lindje të Ukrainës.

Forcat ruse po synojnë të shkatërrojnë gjithçka në Liman, Popasna, Severodonjeck dhe Slloviansk, tha presidenti ukrainas.

Megjithatë, Zelensky shtoi se bazuar në përgjimet e bisedave të tyre telefonike, ne kemi dëgjuar se ata janë të vetëdijshëm se kjo luftë nuk ka kuptim për Rusinë dhe në aspektin strategjik, ushtria e tyre nuk ka asnjë shans.

Sipas Zelenskyt, do të duhet kohë dhe “përpjekje të jashtëzakonshme” për ukrainasit që të thyejnë avantazhin rus sa i përket pajisjeve dhe armëve, teksa ai sërish u bëri thirrje shteteve perëndimore që ta furnizojnë shtetin e tij me armë të rënda. Raketahedhës, tanke, armë kundër anijeve dhe armë të tjera për Ukrainën janë investimi më i mirë në mbajtjen e stabilitetit në botë dhe për parandalimin e “krizave të rënda” që Rusia po planifikon t’i shkaktojë, tha Zelensky.

Më herët, në fjalën e mbajtur përpara Forumit Botëror Ekonomik në Davos, presidenti ukrainas u shpreh se Rusia ka kryer pothuajse 1,500 sulme me raketa dhe mbi 3,000 sulme ajrore kundër vendit të tij në tre muajt e parë të luftës.

Dy zyrtarë të lartë rusë duket se e kanë pranuar se përparimi i Moskës ka qenë më i ngadalshëm sesa pritej edhe pse ata u zotuan se ofensiva do të arrijë qëllimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA