Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e dy ngjarjeve të rënda që ndodhën mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, ku u përfshinë punonjës policie.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dy grupet e posaçme do të hetojnë në lidhje me vrasjen e ndodhur brenda komisariatit nr.3, ku 25-vjeçari Ludian Zaimi qëlloi kolegun e tij, 55-vjeçarin Çaush Saliasi i cili ndërroi jetë në spital në sallën e operacionit.
Ngjarja tjetër që do hetohet është edhe plagosja e një 55-vjeçarit Murteza Lika në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën “Llazi Miho”, nga efektivi i FNSH-së, Lutfi Gjyla.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranës ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e ngjarjeve ku janë të përfshirë punonjës policie. Pas ngjarjes, ku punonjësi i policisë Inspektor L.Z., 25 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, kolegun e tij, inspektor Ç.S., 55 vjeç, i cili pas dhënies së ndihmës së parë ka ndërruar jetë në spital. Grupi i posaçëm hetimor nga AMP ndodhet aktualisht në ambientet e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.Për ngjarjen e ndodhur në territorin juridiksional të Komisariatit të Policisë Nr. 6 (Kombinat) ku punonjësi i policisë L.GJ., 48 vjeç, me detyrë trup shërbimi në Njësinë Operacionale të Ndërhyrjes së Shpejtë, në gjendje të dehur dhe për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri shtetasin M.L., 64 vjeç, grupi i posaçëm hetimor është duke kryer të gjitha veprimet proceduriale me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Punonjësi i policisë është i shoqëruar në ambjentet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore”, njofton AMP.
Top Channel