Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka shtruar tre çështje në tryezën e KQZ-së ppër votën e emigrantëve.
Kryemadhi tha se duhet zgjidhur çështja e regjistrimit të shqiptarëve me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë. Së dyti, ajo tha se duhet zgjedhur mënyra sesi emigrantët do të votojnë nga jashtë dhe së treti, si do të ndahen këto vota.
“Çështja e parë që duhet të adresojmë bashkarisht, është regjistrimi i shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë. Neni 24 i Kodit Zgjedhor parashikon se: Një shtetas shqiptar me banim jashtë Shqipërisë, që të ketë mundësi të votojë nga jashtë Shqipërisë, së pari ai duhet të jetë i regjistruar ne regjistrin e Gjendjes Civile dhe të deklarojë adresën e banimit të përhershëm jashtë Shqipërisë. Cila është infrastruktura që ne do të përdorim për këtë gjë? Nëpërmjet E-albania? (A rrezikojmë të na dalin të dhënave personale siç dolën në rastin e patronazhistëve? Do t’i regjistrojnë ambasadat tona, apo do të shkojnë shqiptarët të votojnë në ambasadat tona? Pra, sa i besueshëm është si proces? Mirëpo, sa shtetas shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë ? Mendohet se jashtë vendit jetojnë mbi 2.5 milionë shqiptarë. Siç jeni në dijeni, ne kemi miratuar edhe Ligjin nr.14/2016 “Për identifikimin dhe Regjistrimin e Adresës së Shtetasve Shqiptarë që jetojnë jashtë”. Ne Mars 2021 kanë qenë të regjistruar në Regjistrin e Zgjedhësve pak më shumë se 3 mijë shtetas. Pra, nga mbi 2.5 mln shqiptarë jashtë Shqipërisë, mund të votonin në 25 Prill vetëm 3 mijë. Ndërsa sot janë diçka më pak se 9 mijë shtetas shqiptarë, nga të cilët vetëm rreth 6 mijë shtetas kanë të drejtën e votës. Atehere si do të stimulojmë shtetasit shqiptarë të regjistrohen? Unë propozoj që të kemi incentiva pozitive ndaj shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë vendit, në mënyrë që ata të stimulohen për t’u regjistruar.
Çështja e dytë që duhet të adresojmë është në fakt më kryesorja dhe konkretisht: Mënyra e votimit. Në nenin 25/1 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se: “Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj”. Më tej neni 25/3 të Kodit Zgjedhor parashikohet se: “Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materialit zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim, nuk mund të jenë më të ulëta sesa ato për votimin brenda vendit”.
Ne si palë e interesuar drejtpërdrejt në këtë proces, lidhur me këto dy garanci thelbësore për të gjithë aktorët politikë dhe veçanërisht për opozitën jemi shumë të interesuar të njihemi me metodën apo rrugën që po eksploron KQZ për t’i plotësuar këto kritere ligjore. Këto garanci nuk duhet të aprovohen vetëm për opozitën e sotme por dhe për opozitën e ardhshme mirëpo kjo është dhe një nga garancitë për të krijuar dhe një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në mënyrë që të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë të kenë qeverinë që ata edhe e votojnë.
Çështja e tretë që duhet të adresojmë është se: Aktualisht në Kodin Zgjedhor nuk është parashikuar se ku do ta japi efektin vota e shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit. A do të krijojmë një Zonë të Re Zgjedhore? Pra, diaspora të konsiderohet një zonjë zgjedhore me numrin e caktuar të deputetëve përfaqësues për ta. Apo, vota e tyre do ta japi efektin në zonën zgjedhore ku ishte regjistruar shtetasi shqiptar përpara largimit nga Shqipëria. Në fakt, lidhur me këtë çështje personalisht jam e mendimit se kjo kërkon një tryezë politike dhe një vendim politik por mbi të gjitha vullnet politik”, tha Kryemadhi.
Top Channel