Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha për mediat se maxhoranca është e hapur për diskutime me opozitën për zgjedhjen e presidentit të ri duke përjashtuar formulën e propozuar nga Enkelejd Alibeaj.
Ai përsëriti se maxhoranca deri raundin e tretë nuk do të propozojë emra, ndërsa deri më tani nuk ka marrë asnjë propozim nga opozita.
“E para është që është një çështje që i takon opozitës, për mënyrën se si do të qasen në këtë proces, ka një propozim nga ana e opozitës që të mbështesin një kandidaturë, ka një propozim që të vijojnë negociatat që ata të vijnë me emrat e tyre, ne të shohim mundësinë që brenda emrave të tyre të shikojmë cili përmbush pritshmëritë tona. Kjo është çështja për të cilën dua të ndalem dhe të them që ne jemi për të gjitha mënyrat e mundshme me përjashtim të formulës të propozuar nga Alibeaj 4:2:1 që nuk është negociatë. Orët, ditët në vijim do të jenë ditë intensive bisedash me kolegët e opozitës që në raundin e tretë të shkohet me një kandidat dhe besoj që ajo që është më e qartë është që në raundin e tretë nuk do të ketë kandidaturë të propozuar me 20 firma apo më shumë nga PS”, tha Balla.
“Ne sot presim propozime konkrete unë nuk kam marrë qoftë edhe një propozim, që të kem mundësi e të them se ky propozim është nga opozita, ka pasur keqkuptim, nuk kam kuptuar atë që kisha dashur të shikoja, kam 6 ditë kohë që të shkoj datë 30, kusht që zgjidh një nga 4 emrat e mi ose nuk pranohet jo. Kësaj radhe edhe në raundin e tretë dhe të tretë nuk do të ketë kandidaturë nga maxhoranca”, shtoi Balla.
“Me dy kolegët kemi rënë dakord që të ulemi nga emrat, u ndërpre se hyri PD, sot e patë qëndrimin, brenda tyre ka një propozim të Mediut. Në rast se do të ketë propozim dhe të vijnë me një emër është e pranueshme, ne do të vlerësojmë mundësinë nëse kandidatura gjej mbështetjen tonë apo jo.”
Konferenca e Kryetarëve për zgjidhjen e Presidentit të ri u mblodh sërish këtë të martë, pasi një ditë më parë dështoi raundi i dytë i procesit.
Negociatorët e mazhorancës i dhanë opozitës të drejtë të propozojnë kandidatë në raundin e dytë dhe të tretë. Me pretendimin se mazhoranca ndryshoi papritur qëndrim, Grupi Parlamentar i drejtuar nga Alibeaj swrish nuk propozoi asnjë emër.
Raundi është lënë sërish në dorë të opozitës, por Alibeaj këmbëngul që procesi të bëhet sipas formulës 4:2:1.
Balla nga ana tjetër, thotë se nëse nuk ka dakordësi, do të ftojë grupet e tjera parlamentare të propozojnë emra, ndërkohë që data për raundin tjetër u la në 30 maj.
Kujtojmw se raundi i parë për zgjedhjen e presidentit u ezaurua më 16 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.
Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.
Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.
Top Channel