Lija e majmunit/ Gjermania rekomandon karantinën dhe vaksinimin

24/05/2022 08:27

Gjermania po i kushton vëmendje të shtuar lisë së majmunit; autoritetet shëndetësore gjermane duken të gatshme ta frenojnë infeksionin që në fillim, ndaj dhe po përgatisin masa të rrepta.

Pas shfaqjes së rasteve të para të sëmundjes, ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach është hedhur në veprim.

Aktualisht, rekomandimet për izolimin dhe karantinimin janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Robert Koch, tha Lauterbach në kuadër të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.

Ai mendon se masat do të prezantohen shpejt. Përveç kësaj, po shqyrtohet mundësia e dhënies së rekomandimeve të vaksinimit për njerëzit me rrezik të veçantë. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për vaksinimin e popullatës në përgjithësi, theksoi politikani i SPD-së. Ai tha se mbështet veprime të vendosura. Epidemia globale është aq e pazakontë sa që tani duhet të reagojmë shpejt dhe fuqishëm.

Lauterbach theksoi se sipas njohurive të deritanishme, infektohen kryesisht meshkujt që kanë pasur kontakt seksual me meshkuj të tjerë.Virologu Schmidt-Chanasit nuk sheh rrezik të përhapjes në shkallë të gjerë të lisë së majmunit. Schmidt-Chanasit i tha radiostacionit gjerman Deutschlandfunk se nuk duhet pasur frikë se mos kalohet në një pandemi. Lija e majmunit është shumë e vështirë për t’u transmetuar, pasi infeksionet ndodhin përmes kontaktit me mukozën.

Prandaj, shkencëtari pret që shpërthimi i sëmundjes të frenohet. Megjithatë, virusi duhet të studiohet mirë për të kuptuar më mirë rrugët e transmetimit, theksoi Schmidt-Chanasit. Dobia e vaksinimit me vaksinat ekzistuese po diskutohet aktualisht – veçanërisht për njerëzit në rrezik dhe njerëzit në kontakt. Infeksionet me virusin, me origjinë normalisht nga Afrika Perëndimore dhe Qendrore, janë zbuluar ditët e fundit në vende të ndryshme, përfshirë Gjermaninë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA