Në prag të finales së Conference League, ekipi i Romës dhe i Feyenoord, janë bërë bashkë në Tiranë, duke ndërmarrë një sërë nismash komunitare, që synojnë mbështetjen e njerëzve në nevojë dhe promovimin e sportit.

“Mesazhi që na vjen sot nga Feyenoord dhe Roma është të jemi qytetarë të mirë sepse kështu jemi njerëz të mirë dhe familjarë të mirë. Një burrë i mirë, një njeri që thotë jam trim dhe jam sportist, nuk ngre dorë kurrë, jo vetëm dhunë në familje, po as në shkollë, as në rrugë. Rivaliteti është i pranueshëm, por mbasi të mbarojmë, ne do të punojmë prapë bashkë”, tha Erion Veliaj.

Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci, nënvizoi se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të gjatë.

“Miqtë e AS Roma shfrytëzuan praninë e tyre këtu për organizimin e disa aktiviteteve me karakter social. Ideja është për të mbjellë një farë, që në të ardhmen do të japë frytet e saj. Pra, ky është fillimi i një rrugëtimi dhe i një bashkëpunimi që do të vijojë për shumë kohë”, tha Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci.

Përfaqësuesi i Feyenoord, Ton Strooband, theksoi se në Tiranë ekipi i tij luan për ndeshjen më të rëndësishme të 20 viteve të fundit.

“Roma dhe Feyenoord për 90 minuta në fushë do jenë kundërshtarë, por përtej këtyre 90 minutave ne jemi miq të mirë dhe së bashku do përpiqemi të bëjmë diçka të mirë për të gjithë”, u shpreh përfaqësuesi i Feyenoord, Ton Strooband.

Ndërsa, përfaqësuesi i ekipit të Romës, Francesco Pastorella, apeloi për më shumë solidaritet dhe sa më pak dhunë.

“Futbolli është një lojë, duhet të bëjmë më të mirën, por fiton ai që është më i zoti. E rëndësishme është që të bëjmë maksimumin dhe të kënaqemi. Kjo është ajo çka duhet të shohim. Ju jeni e ardhmja jonë”, u shpreh përfaqësuesi i ekipit të Romës, Francesco Pastorella.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA