Një bisedë e frytshme për çështje me interes që bashkojnë popujt tanë, e cilësoi kryeministri Edi Rama takimin që pati këtë të hënë në zyrën e tij me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias.
Dendias vizitoi sot Tiranën me qëllimin për përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke, e posaçërisht për të çuar përpara në gjykatën e Hagës të zgjidhjen e mos-marrëveshjes për kufirin detar.
Dendias u takua dhe me ministren e Punëve të jashtme, Olta Xhaçka, e cila krahas çështjeve që lidhen me mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, mësimin e gjuhës shqipe, e ato konsullore shprehu gatishmërinë e zgjidhjes së problemit për kufirin detar mes dy vendeve.
“Rikonfirmuam dhe njëherë vullnetin tonë për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek një palë e tretë gjyqësore, siç është Gjykata Ndërkombëtar e Drejtësisë. Ne besojmë dhe shpresojmë që konstruktiviteti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare”, tha Xhaçka
Nikos Dendias kërkoi avancimin e përgatitjes së dokumentacionit për t’ia dërguar gjykatës të Hagës.
“Përmbushja e kësaj procedure për ne ka rëndësi të veçantë. Dhe të dyja vendet dëshirojmë që të zgjidhim diferencat tona në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës kryesisht të detit. Mendoj se përtej rëndësisë që ka për dy vendet tona dërgon edhe një mesazh shumë të rëndësishëm tek të gjithë vendet e tjera se kjo është mënyra e duhur dhe mënyra e saktë për të zgjidhur divergjencat tona. Dhe është e rëndësishme sesi ne do të përshpejtojmë hapat për të përmbushur pjesën teknike në mënyrë që të depozitojmë sa më shpejt dokumentet në Gjykatën e Hagës”, tha Dendias
Tashmë edhe Greqia e ka kuptuar e pranuar se ligji grek i luftës nuk i bën aspak nder në kontekstin e kohës ku jetojmë.
“Marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë, madje dhe abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi dhe ne duhet të bashkëpunojmë këtu në mënyrë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Sigurisht dua të jem i çiltër me ju, kjo do të thotë që ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike, çështje që kanë të bëjnë me palën greke dhe që ata duhet t’i diskutojnë. Dhe ne mendojmë se nuk janë gjërat fiks ashtu siç paramendohen”.
Top Channel