Rikthimi i tretë i Sali Berishës ashtu siç pritej, nuk u duartrokit nga ndërkombëtarët.
Rruga e Elbasanit zgjodhi të flasë me heshtje duke lënë të kuptohet se porosia e Uashingtonit ka nisur të zbatohet: Me Berishën kryetar, Partia Demokratike do ketë raport të pamundur me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.
Si asnjëherë më parë, mesazhi i urimit mungoi dhe nga partitë simotra në Gjermani. I vetmi mesazh që mbërriti në selinë blu nga CDU/CSU ishte pak para zgjedhjeve, përmes raportuesit për Ballkanin, Gunther Krichbaum, i cili paralajmëroi një pezullim të Partisë Demokratike nga partitë popullore europiane nëse drejtimin e merr Berisha.
Sali Berisha u përpoq ta kalonte me buzëqeshje refuzimin që i bënë amerikanët dhe gjermanët, por ata të cilët nuk u shfaqën të lumtur ishin deputetët që bojkotuan procesin dhe nxituan të sqarojnë pozicionin e tyre.
Orjola Pampuri: Unë jam me linjën e Amerikës.
Por, Oriola Pampuri nuk është e vetmja në radhët e 35 deputetëve demokratë që nuk e njohin dhe as nuk do e pranojnë Berishën si kryetar.
Dhurata Çupi: Sot PD-ja nuk është as e bashkuar dhe as e fortë, ky është lajm i keq, jam e keqardhur për këtë.
Mes demokratëve ka jo vetëm të lënduar, por nga ata që kanë reflektuar nga 8 janari duke marrë një kthese 360 gradë.
Grida Duma: Vullneti i demokratëve duhet respektuar. Ringritja e Partisë Demokratike do të vijojë edhe me Sali Berishën”
Por, ajo që Grida Duma quan vullnet të demokratëve rrezikon të zhbëhet me një vendim të Gjykatës së Apelit, që mund t’i prishë festën Berishës.
Kreshnik Çollaku: Deri më sot pa vendosur zyrtarisht gjykata ne nuk e dimë ende kush është statuti i partisë. Ku ta vendosë, mendojmë.
Top Channel