Ekonomitë kryesore të Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) janë pajtuar të ofrojnë 9.5 miliardë dollarë, si ndihmë e re ekonomike për Ukrainën, për të ndihmuar Kievin të paguajë pagat për punonjësit publikë dhe të sigurojë që qeveria të vazhdojë të funksionojë derisa po mbrohet nga pushtimi rus.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner u tha gazetarëve, më 20 maj, se me shtimin e 9.5 miliardë dollarëve, mbështetja aktuale për Ukrainën arrin në 19.8 miliardë dollarë. Shuma e re e ndihmës u premtua gjatë takimeve midis ministrave të financave të G7 dhe guvernatorëve të bankave qendrore në Gjermani, këtë javë.
“U pajtuam që situata financiare e Ukrainës nuk guxon të ndikojë në aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten me sukses”, tha Lindner. “Duhet të japim gjithçka nga vetja për t’i dhënë fund kësaj lufte”.
Premtimet e reja përfshijnë 7.5 miliardë dollarë mjete pa kthim nga Shtetet e Bashkuara dhe një grant prej 1 miliard dollarësh nga Gjermania. Vendet tjera të G7 do të sigurojnë një miliardë dollarë të tjera, në formën e garancive dhe kredive, ka deklaruar Ministria e Financave e Gjermanisë.
“Ne do të vazhdojmë të jemi me Ukrainën gjatë dhe pas kësaj lufte dhe jemi të gatshëm, nëse është e nevojshme, të bëjmë më shumë”, kanë thënë ministrat e G7 në një komunikatë në fund të takimit dyditor në Gjermani.
Pushtimi rus preku pothuajse çdo temë të diskutuar gjatë takimit të ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.
“Lufta agresore e Rusisë po shkakton çrregullime ekonomike globale, duke ndikuar në sigurinë e furnizimit global me energji, prodhimin e ushqimit dhe eksportet e ushqimit dhe produkteve bujqësore, si dhe funksionimin e përgjithshëm të zinxhirëve të furnizimit global”, thuhet në deklaratë.
Parashikimi i fundit ekonomik botëror i Fondit Monetar Ndërkombëtar thotë se ekonomia e Ukrainës do të tkurret për 35 për qind këtë vit dhe vitin e ardhshëm./REL
Top Channel