I keqardhur thotë se është ndjerë ish kryeministri Berisha lidhur me deklaratën e deputetit kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, një ditë më parë, ndonëse e konsideron një angazhim personal të tij.
“Shumë thjesht, ai ishte angazhim personal, Unë në qëndrimet personale të individëve nuk ndërhy. Komenti im është keqardhje që një deputet I CDU mendon se mund të ndërhjë në një process të lirë te një parti simotër, e sidomos kur e bën bazuar në një vendim të faktuar nga një lobim I Soros. E ftoj Kricbaun të ndërrmarë një hetim në arkivat e shtetit të tij, nëse mund të gjejë një fakt të vetëm për të faktuar trillimet e mafies së Soros.” u shpreh Berisha.
Çfarë deklaroi deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum për DW?
Së pari, më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi. Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara.
Pra, ju do ta refuzoni PD-në, nëse në krye të saj vjen Sali Berisha?
Besoj se u shpreha qartë ashtu siç e thashë. Partia lipset të marrë një vendim të mençur dhe të marrë parasysh efektin në planin ndërkombëtar, nëse në të vërtetë ndjek pretendimin se jo vetëm dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit. Ky është qëllimi legjitim i një partie në demokraci: që të vijë në pushtet e të formojë qeverinë. Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar.
Top Channel