Veliaj krah Yuri Kim në koncert: E turpshme që ka ende njerëz që flasin me gjuhën e Enverit, kundër Amerikës

19/05/2022 20:41

Një vit nga shpallja person “non grata” e Sali Berishës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është turp që në 2022 ka ende njerëz që flasin me gjuhën e Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga sheshi “Skënderbej”, ku bashkë me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, ndoqi koncertin e bandës frymore të ushtrisë amerikane, Veliaj theksoi se shqiptarët nuk kanë lidhje me atë pakicë të zhurmshme që përpiqet të zgjidhë hallet e veta, duke krijuar debate të pavlefshme me Amerikën.

“Vitin e fundit është kthyer në modë, se kush ka ndonjë problem në politikë, fillon e shan Amerikën; kush ka ndonjë problem me veten e tij, shan një nga fondacionet tona. Kush ka një problem me jetën e tij, që ka dilemat e jetës së vet, mundohet ta gjejë fajin tek dikush tjetër. Së pari, mua më vjen turp që mes nesh ka ende njerëz që, në vitin 2022, janë gati të flasin me gjuhën e Enver Hoxhës kundër Amerikës. Më vjen turp që në 2022, në një qytet të hapur me 1 milionë banorë, ka njerëz që duan të bëjnë karrierë duke sharë Amerikën. Ne jemi më të mirë se kaq, ne jemi më të virtytshëm se kaq, ne jemi më mirënjohës se kaq. Raca jonë është shumë herë më e mirë sesa një pakicë e zhurmshme, që mundohet të zgjidhin hallet e tyre duke na krijuar debate të pavlefshme me Amerikën”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se shqiptarët i janë mirënjohës SHBA për ndihmën që i kanë dhënë vendit tonë. “Dua një duartrokitje nga të gjithë ju, për të treguar se ne jemi mirënjohës, jemi besnikë, dhe jemi shumica e atyre që e duan këtë raport të fortë, të shëndoshë dhe të bukur si sot. Shijojeni mbrëmjen, Amerika patjetër është fuqi, patjetër është ushtri, patjetër është ekonomi, por ne besojmë jo vetëm tek ajo që është fuqi e fortë, por edhe tek ajo që është fuqi e butë, si filmat, muzika. Sot jemi për të festuar jo vetëm ata që janë me uniforma ushtarake, por edhe ata që janë me instrumente muzikorë, edhe sa bukur kur bashkohen të dyja fuqitë, edhe njerëzit me uniformë, edhe këngët e “Rock’n & Roll”-it amerikan. Ju falënderoj të gjithëve nga zemra dhe mezi pres të festojmë deri në fund këtë javë fantastike, që celebron marrëdhënien speciale të shqiptarëve dhe të amerikanëve”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se sot shqiptarët jetojnë në një vend të lirë, kjo edhe falë miqësisë shumë të veçantë me SHBA-të. “Sot jetojmë në një vend të lirë, në një qytet të transformuar, në një qytet ku jetojnë shqiptarë, italianë, amerikanë, njerëz nga 140 kombësi, dhe sot shumë prej këtyre legjendave që na dukeshin mollë e ndaluar, janë të mundura. Janë të mundura falë lirisë dhe hapjes, por janë të mundura falë edhe një miqësie shumë të veçantë që ne kemi me ambasadën amerikane, me shtetin amerikan, me gjithë qytetarët amerikanë, që për Shqipërinë kanë një ndjesi të veçantë, një dashuri të veçantë, edhe një avokati të veçantë, për të cilën ne jemi të gjithë shumë mirënjohës”, deklaroi kreu i Bashkisë, Erion Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA