Nisin gjyqet e para për krime lufte të trupave ruse, përfundon beteja për Mariupolin! 

18/05/2022 11:53

Ukraina po kërkon të evakuojë edhe ushtarët e fundit të bllokuar në fabrikën e çelikut Azovstal ndërkohë që në Kiev nisi gjyqi i parë për krime lufte ndaj një ushtari rus.

Teksa lufta ka hyrë në muajin e tretë,  Azovstali u kthye në simbolin e rezistencës së ashpër ukrainase që e zmbrapsi pushtimin rus me një efikasitet shumë më të madh nga sa pritej dhe e detyroi Presidentin Vladimir Putin të rikalibronte objektivat e tij ushtarake nga marrja e kryeqytetit Kiev në fokusimin tek rajonet lindore të vendit.

Njësi ushtarësh ukrainas po qëndronin në labirintin nëntokësor të tuneleve të uzinës gjigante, duke penguar përparimin e Rusisë nëpër territorin përreth, megjithatë të martën Moska njoftoi se më shumë se 260 prej tyre tashmë janë dorëzuar.

Ministria e mbrojtjes e Kievit tha se do të bënte “çdo gjë të nevojshme” për të shpëtuar numrin e personelit që ndodhet ende në fabrikë, por pranoi se nuk kishte asnjë opsion ushtarak në dispozicion.

“Misioni i evakuimit vazhdon, ai mbikëqyret nga ushtria dhe inteligjenca jonë”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës.

“Në të janë përfshirë ndërmjetësuesit ndërkombëtare më me ndikim”, vazhdoi ai. Trupat që u larguan nga Azovstal jnë marrë rob nga rusët, përfshirë 51 të plagosur rëndë të cilët u transportuan në një spital në rajonin lindor të Donetskut të kontrolluar nga rebelët pro-Kremlinit. Ministria e mbrojtjes në Kiev tha se shpresonte për një “procedurë shkëmbimi… për të riatdhesuar sa më shpejt të jetë e mundur këta heronj ukrainas”.

Ndërkohë në Kiev del përpara gjykatës ushtari 21-vjeçar rus Vadim Shishimarin, nga Irkutsku i Siberisë, i cili akuzohet se ka qëlluar për vdekje një civil të paarmatosur dhe rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

Prokurorët thonë se njësia e tankeve të Shishimarin u sulmua dhe ai me katër ushtarë të tjerë grabitën një makinë në rajonin Sumy, ku ndeshën në një 62 vjeçar që kalonte me biçikletë, ndaj të cilit rusi hapi zjarr duke e lënë të vdekur në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA