Paradoksalisht të dhënat e ofruara nga INSTAT tregojnë qëllim kryesor mbetet prerja e pemëve për dru zjarri. Shqiptarët konsumojnë mesatarisht deri në 2.5 mln m3 dru për ngrohje. Ndërkohë, rritja e sipërfaqes së re pyjore nuk kalon shifrën e 1 mln m3 në vit.
Sipas të dhënave të nxjerra nga INSTAT në vitin 2014, përqindja mesatare e shpenzimeve mujore në dru zjarri në Shqipëri është 26% në totalin e shpenzimeve për energji, por kjo ndryshon dhe rritet sipas rajoneve më të ftohta dhe më të varfra. Në Shkodër ngrohja me dru zjarri është 50.1%, në Lezhë 40.1%, në Dibër, Korçë dhe Kukës është respektivisht 35%, 31% dhe 30%.
“Dëmtuesi më i madh i pyllit është përdorimi i pyllit për dru shtëpie. Mesatarisht Shqipëria përdor 2-2.5 mln m3 për tu ngrohur, ndërkohë që rritja e pyjeve tanë është 1 mln e pak m3 në vit. Që këtu duket bilanci negative që e shkatojmë në pyje” u shpreh Genti Kromidha, Instituti për ruajtjen e natyrës
Në këtë situatë ekspertët sugjerojnë se duhet ndërhyrë për të ndaluar prerjen e pemëve për dru zjarri dhe gjetur zgjidhje alternative.
“Krijimi i sistemeve agropyjorë që nënkupton mbjelljen e bimëve me rritje të shpejtë që nënkupton uljen e presionit pikërisht mbi këtë burim” u shpreh Elvin Toromoni, Fakulteti i Pyjeve, Universiteti Bujqësor
Në vitin 2018, ish ministri i mjedisit Blendi Klosi lancoi nismën për mbjelljen e 20 mln e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020. Ndërkohë që në një dalje publike në dhjetor 2018 ai deklaroi se përgjatë vitit paraardhës ishin mbjellë rreth 4.5 milionë fidanë të rinj. Nuk ka evidenca të sakta se sa janë mbjellë në të vërtetë por ata që e njohin mirë problematikën janë mjaft skeptikë me ato që trumbetohen.
“Pyllëzimet janë me shifra minimale, qesharake dhe tragjikomike. Ish-ministri Klosi premtoi të mbillte 20 mln fidanë pyjorë por në fakt nuk mbolli dotë as 20 mijë disa inaciativa qesharake që kanë mbetur në letër dhe nuk është bërë asgjë” u shpreh Mehmet Meta, ekspert mjedisi.
“Unë sugjeroj që të shohim të dhënat e INSTAT, sa ishte sipërfaqja pyjore përpara këtyre fushatave nëse do ti shihni duket që nuk ka ndryshimi. Aq pyje sa kishim aq kemi” u shpreh eksperti i mjedisit, Abdulla Diku.
Top Channel