Rruga “Skënderbeu” në New York, u përurua dje. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Veliaj

16/05/2022 15:28

Pas rrugës “Fan Noli”, në Bronx të Nju Jorkut tani gjendet edhe një rrugë që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që u përurua dje në një ceremoni të veçantë, ku mori pjesë dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Dikur, kur isha student këtu, as e mendoja kurrë se do të vinte kjo ditë. Nuk e kisha parë as në ëndrrën më të bukur se, një ditë, do të rikthehesha në qytetin ku kam shumë kujtime, për të përjetuar kujtimin më të bukur, përurimin e rrugës “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Nju Jork. Ka shumë njerëz që thonë se ne jemi një vend i vogël si territor, nuk jemi të mëdhenj si Amerika, ne jemi të vegjël edhe në numër, por sot kemi treguar se ne jemi aq të mëdhenj sa idetë tona, dhe për sa kohë idetë tona janë të mëdha, dhe për sa kohë idetë e Skënderbeut ishin të mëdha, kombi ynë është i madh dhe sot më i bashkuar se kurrë”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se kur shqiptarët janë bashkë, ata janë më të forte, njësoj siç është mesazhi i Skënderbeut.

 “Kur ne nuk ndahemi në llogore dhe bëhemi bashkë, jemi të pathyeshëm. Sot jam i lumtur që Fan Noli, i cili shkroi Historinë e Skënderbeut, dhe Skënderbeu, që bëri historinë e lavdishme të kombit tonë, janë të dy bashkë në rrugët e Nju Jorkut. Është komplimenti më i madh që, për një komunitet si i yni, të marrë pjesë në këtë ngjarje edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, edhe senatori Nju Jorkut, edhe kongresmeni i juaj, sepse kombi ynë i ka bërë vend vetes me punë, me djersë dhe me meritë”, shtoi më tej ai.

Rruga “Gjergj Kastriot Skënderbeu” ndodhet në kryqëzimin midis “Arthur Avenue” dhe “Crescent Avenue”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA