Kremtimi 100 vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane bëri bashkë në një tryezë opozitën e Enkelejd Alibeajt me shumicën socialiste.
I ftuari kryesor për të folur, Mike Pompeo ish sekretar shteti në administratën e presidentit Trump dhe një prej njerëzve më të rëndësishëm prej republikanëve amerikanë.
“Kjo marrëdhënie e fortë, është e veçantë sidomos në 30 vitet e fundit për të konsoliduar demokracinë. Po e shohim në Ukrainë, duhet ta ndihmojmë atë të rindërtohet e për këtë do punojmë së bashku. Kjo miqësi do ketë edhe 100 vite të tjera. Unë kam shërbyer si në opozitë ashtu edhe në maxhorancë. Duhet vullnet nga secili spektër, për të mbrojtur demokracinë shkulur korrupsionin. Faleminderit që punoni me ne. Më bëni një ftesë kur të kemi 125-vjetorin”, tha Pompeo.
Ambasadoria amerikane Yuri Kim e shikon këtë 100 vjetor të marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë si një lidhje të pathyeshme.
“Sekretari Pompeo ishte personi që më emëroi dhe ndihmën e nderuar që më emëroi para 2 vitesh si ambasadore. Me rëndësi për ne është, përfshi dhe 30 vitet e fundit ka një bashkëpunim të pathyeshëm, të fortë, pavarësisht se kush ulet në Shtëpinë e Bardhë. Jemi duke punuar për dy projekte energjetike, që do e bëjnë Shqipërisë lojtare kyç. Po ashtu po punojmë, për të luftuar korrupsionin dhe për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Kim.
Taulant Balla kryetar i grupit parlamentar socialist iniciator ishte organizues i kësaj konference. Ndërsa Enkelejd Alibeaj fshikulloi ish kryeministrin Sali Berisha për të shkuarën e tij komuniste.
“Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me ShBA. Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100 vjeçare”, tha Alibeaj.
Top Channel