Konsiderohet tronditës raporti i fundit i paraqitur nga ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser dhe presidenti i Mbrojtjes Kushtetuese, Thomas Haldewang mbi gjendjen e ekstremizmit të djathtë brenda autoriteteve të sigurisë në tre vitet e fundit.
Ai konstaton 327 raste punonjësish që kanë lidhje me skenën ekstremiste të djathtë apo me skenën e “Reichsbürger”, individët refuzues të shtetit gjerman.
Rastet e përfshira në raport janë ato të konfirmuara dhe ato me dyshime konkrete që kalojnë nëpër procedurë verifikimi. Në përgjithësi, është vëzhguar pjesëmarrja e punonjësve në aktivitete të ekstremistëve, kontaktet me partitë ekstremiste, apo thirrjet “Heil Hitler”.
Edhe pse disa persona kanë qenë aktiv në grupe chat-i, në të cilat janë ndarë përmbajtje ekstremistësh të djathtë, ky raport nuk ofron të dhëna për një rrjet ndër rajonal të ekstremistëve mes autoriteteve të sigurisë.
Faeser u shpreh pas publikimit të raportit, se nëse dëmtohet nga brenda integriteti i autoriteteve të sigurisë, “atëherë kjo është e rrezikshme për shtetin e së drejtës dhe demokracinë.”
Haldenëang po ashtu tha se e shikon si “tronditës” numrin e armiqve të demokracisë tek autoritetet e sigurisë, dhe u zotua ta ndryshojë sa më shpejt këtë gjendje.
Edhe në radhët e Shërbimit Informativ Ushtarak, që përfshin 242.000 ushtarë të Bundeswehrit dhe civilë janë zbuluar dhe rastet më të shumta, 83 ekstremistë të djathtë.
Tek Policia Federale që numëron më shumë se 54.000 punonjës ranë në sy 18 ekstremistë të djathtë, në organe të tjera të sigurisë rastet kanë qenë shumë më të pakta.
Top Channel