Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.
“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, të zbatojnë plotësisht dhe pa vonesa të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën, dhe të normalizojnë raportet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, që do t’u lejonte të realizonin perspektivat e tyre respektive evropiane, që do të kontribuonte në stabilitetin rajonal dhe të ishte në dobi të të gjithë qytetarëve të rajonit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të G7-s pas mbledhjes treditore në Gjermani.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011 dhe ky proces mëton që në fund të përfundojë me një marrëveshje. Kosova kërkon që procesi të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një kompromis.
G7 ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, dhe i ka bërë thirrje edhe Serbisë që të bëjë të njëjtën gjë.
Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Beogradi ka thënë se mbështet sovranitetin e Ukrainës, por nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
G7 – ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia – po ashtu thanë se mbështesin perspektivën evropiane të gjashtë shteteve të Ballkanit, duke theksuar se mbështesin fuqishëm nisjen e negociatave për anëtarësim midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë.
“U bëjmë thirrje vendeve të rajonit që të avancojnë reformat e brendshme, veçanërisht për sundimin e ligjit, për të zgjeruar hapësirën e politikës së brendshme, për të përmirësuar mjedisin për shoqëri civile dhe media të pavarura, për të vazhduar përpjekjet e tyre për parandalimin e radikalizmit dhe dhunës, të mbështesin pajtimin dhe të luftojnë kundër dezinformimit të gjenocidit si dhe glorifikimit të krimeve të luftës dhe kriminelëve të dënuar të luftës”, u tha në deklaratë.
Ministrat e G7-s po ashtu thanë se mbështesin bashkëpunimin rajonal dhe tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor, “veçmas të tregut të përbashkët rajonal dhe të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor ë kuadër të kornizës së Procesit të Berlinit”./Rel
Top Channel