Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar të premten ndaj deklaratave të zyrtarëve të Serbisë se disa shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në një konferencë për media, Gërvalla u pyet lidhur me deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq që tha të premten se i kishte dorëzuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës.

Kjo deklaratë erdhi vetëm një ditë pasi Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjë që Serbia e kundërshton.

Gërvalla tha se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë informacion për ndonjë çnjohje të shtetit të Kosovës.

“Fakti që vetëm disa orë pas aplikimit të Kosovës ata thonë se kanë siguruar çnjohje tregon dy gjëra: Ose lajmi është i pavërtetë ose ata kanë shumë kohë që punojnë për njohje për dallim nga ajo që deklaruan publikisht”, tha Gërvalla.

Serbia konsideron se Kosova me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit të arritur në shtator të vitit 2020.

Në këtë marrëveshje parashihej që në një periudhë kohore prej një viti, Kosova të mos aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të pezullonte fushatën për çnjohje të Kosovës.

Ministrja Gërvalla tha se kanë informacione që Serbia ka vazhduar me fushatën e çnjohjeve dhe madje sipas saj, i kanë ofruar disa shteteve të Afrikës armë ruse, vaksina ruse dhe sheqer për të tërhequr njohjen e Kosovës.

Ajo nuk ka pranuar të zbulojë emrat e këtyre shteteve por tha se ato nuk e kanë tërhequr njohjen.

Në ndërkohë, Gërvalla ka thënë se Serbia nuk ka arsye për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pasi sipas saj, ky është një hap pozitiv për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë ata serb.

Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveç që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Kosova nuk është as anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA