Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli edhe për projektvendimin për kalimin e një fondi special për organizimin e finales së Conference League në kryeqytet. Veliaj e cilësoi atë si një ngjarje të jashtëzakonshme për qytetin, që do i shërbejë për mirë Tiranës.
“Kemi një projektvendim për kalimin e një fondi që do të shërbejë për organizimin, transportin dhe dekorimin e qytetit, lidhur me finalen e Conference League, një ngjarje e jashtëzakonshme që i sjell shumë biznes qytetit. Ne nuk e kemi betejën vetëm me një personazh në FSHF, por me të gjithë histerinë kolektive që na kaplon kur duhet ta zhvillojmë këtë qytet. Ja ku erdhi dita që qyteti nuk ka më dhoma hoteli. Për të gjithë ata cinikë dhe skeptikë profesionistë, që thonë çfarë na duhen këto kullat, ja ku jemi sot! Tirana nuk ka më dhoma! E keni vënë re që të njëjtat gazeta që thoshin se finalja do të shkojë në Athinë, janë po të njëjtët që shajnë. Shumica e tyre nuk e kuptojnë një gjë bazike: kur një hotel është futur në një shërbim global, siç është Booking.com, ndërtesa dhe hipoteka mund të jetë e jotja, por e drejta e hotelit për të dalë në treg i është dhënë algoritmit të aplikacionit, pra të agjencive turistike që bëjnë prenotimet. Kultura që ne shajmë veten tonë duhet të marrë fund. Janë të njëjtët këta që thonë po rritin çmimet. Pagesa që ne bëjmë për të sjellë 40 deri në 100 mijë vetë në Tiranë, në fakt është një përqindje shumë e vogël e pagesës që ata do të lënë në qytetin tonë. Prandaj, po e ofrojmë transportin me autobusë falas nga Rinasi në Tiranë. Pra, do t’i gëzohemi sa më shumë suksesit”, u shpreh Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Top Channel